Bisedimet me Greqinë, Bushati: Dosja jo e lehtë, vijon konsultimi
Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka folur për bisedimet që po zhvillohen në Kretë me palën greke, por nuk ka dhënë detaje për çështje konkrete duke qenë i rezervuar deri në përfundim të negociatave. Ai u shpreh se është një dosje 70-vjeçare me Greqinë dhe për pasojë kërkon kohën e vet për një zgjidhje në frymën evropiane. “Ne kemi hapur një kapitull të rëndësishëm në marrëdhëniet me Greqinë, kemi tematizuar të gjitha çështjet që i konsiderojmë të hapura, për të cilat kemi këndvështrime të ndryshme. Kemi bërë një punë voluminoze dy ditët e fundit. Diskutimet kanë qenë intensive dhe të strukturuara, pasi ka pasur një punë të mirë paraprake të mirë. Kjo është një dosje jo e lehtë. Është rreth 70 e ca vjeçare e për pasojë kërkon kohën e vetë për një zgjidhje në frymën evropiane. Bëhet fjalë për një paketë, përsa kohë do të vazhdojmë në këtë proces konsultimi dhe diskutimi me palën greke do të pëlqeja të jem i rezervuar dhe i matur në deklarime” deklaroi ai për mediat greke.