LSDM dhe Lëvizja Besa filluan takimet e grupeve të punës për të diskutuar formimin e Qeverisë.
Pas takimit në selinë e socialdemokratëve, Besa dhe LSDM duke mos dhënë më tepër detaje treguan se temë e bisedimeve kanë qenë principet mbi të cilat do të bazohet qeveria e re. Ndarja e resorëve nuk është diskutuar. ‘Kryesisht biseduam për principet bazë mbi të cilat duhet të formohet Qeveria e ardhshme reformuese.
U bisedua për principet e llojit se çfarë njerëz dhe çfarë kuadro duhet për të zbatuar reforma. Vendimin për ndarjen e resorëve dhe çështjeve kadrovike do ta publikojmë në momentin kur do ta kemi’ – deklaroi Oliver Spasovski, Sekretar i LSDM-së. Nga Lëvizja Besa njoftuan se mbeten në kërkesat e dala nga programi i tyre zgjedhor. Deputeti Afrim Gashi mohon që Lëvizja Besa, pjesëmarrjen në Qeveri ta ketë kushtëzuar me poste ministrore. Gashi madje vlerëson se deklarata e kreut të kësaj partie Bilall Kasami se Besa konteston Talat Xhaferin, është nxjerrë nga konteksti.
‘Për ne gjëja më e rëndësishme është se mbi cilat parime do të funksionon qeveria e ardhshme. Parimet janë çështje të cilat do të publikohen, por një pjesë e tyre tashmë edhe ka qenë publike, për detaje do ta flasim herën tjetër. Këto janë bisedime fillestare se si ne e shohim Qeverinë e ardhshme. Është çështje e nxjerrjes nga konteksti.
Nuk është serioze’ –tha Afrim Gashi, deputet i Lëvizjes Besa. Nga LSDM-ja njoftojnë se ditëve në vijim do të ketë takime të grupeve të punës edhe me partitë tjera të shumicës. Kjo parti akoma nuk ka zhvilluar takim me Aleancën për Shqiptarët. Të shtunën ishte planifikuar të ketë takim edhe me BDI-në, përkatësisht me Teuta Arifin, Sadulla Durakun dhe Fatmir Besimin, por për arsye të panjohura takimi është anuluar për tu realizuar ditën e dielë.