Pronari i nje biznesi është shpallur në kërkim prej policisë me akuzën e falsifikimit të dokumenteve me qëllim përfitimin e 68 mijë metër katror tokë në Gjirin e Lalzit.
Ka qenë kadastra që ka zbuluar dokumentet ndërsa pas hetimit disa mujor janë vënë në pranga 20 persona mes tyre dhe ish kryetari i komunës Ishëm.
L. O. dyshohet se është përfituesi kryesor i një skemë të tjetërsimit të 68 mijë metrave katror tokë shtetërore në zonën e Gjirit të Lalzit.
AI akuzohet se ka përfituar një sipërfaqë të konsiderueshme toke dhe një godine në mënyrë korruptive dhe si pjesë e një grupi të struktruruar kriminal.
Drejtori i policise Durres, Lorenc Shehu: “Nga veprimet hetimore të kryera në funksion të procedimit penal Nr. 531/2019, pas një hetimi proaktiv duke aplikuar metodat speciale të hetimit, si kryerje përgjimesh telefonike, filmime, përgjime ambientale dhe vëzhgime, rezultoi se shtetasit e mësipërm në bashkëpunim me njëri-tjetrin në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, kanë tjetërsuar sipërfaqe toke prej 68 000 m2, nga tokë shtetërore pa frut në tokë are dhe ua kanë shpërndarë personave të ndryshëm kundrejt përfitimit.
Këtë aktivitet e kanë realizuar nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve, si të akteve të marrjes së tokës në pronësi, kartelave të pasurive në Regjistrat e Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës. Këtë sipërfaqe toke ua kanë shperndarë personave me banim në Durrës, të cilëve nuk u takonte të merrnin tokë në pronësi sipas ligjit.”
Biznesmeni është shpallur në kërkim nga Policia, e cila pas një hetimi disa mujor vuri në pranga 20 persona, mes të cilëve tre ish drejtorë të Hipotekës së Durrësit dhe ish kryetarin e Komunës së Ishmit, Sulejman Ibrahimi.
Prokurori Afrim Shehu: “Në këtë veprimtari kriminale janë përfshirë ish-punonjës të ish-komunës Ishëm dhe ish-punonjës të Zyrës së Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme Durrës, të cilët duke shpërdoruar detyrën kanë kryer veprime korruptive kundrejt shumave monetare, në periudha kohore të ndryshme nga vitit 2013 – 2018, si dhe kanë ndihmuar pjesëtarët e këtij grupi kriminal duke shfrytëzuar të dhënat që dispononin për shkak të detyrës në përpilimin e dokumenteve të falsifikuara.”
Skema e tjetersimit
Burime pranë grupit hetimor thonë se skema e tjetërsimit të pronës ka nisur vite me parë, në ish Komunën Ishëm që ka bërë kompensim pronash në mënyrë abuzive, ndërsa vitet e fundit, këto toka janë regjistruar edhe në Hipotekë.
Po përmes falsifikimit të të dhënave dhe zhdukjes së dokumentacionit ne zyren e regjistrimit te pasurive të paluajtshme janë regjistruar dhe më pas tjetëruar.
Policia ka nisur verifikimin pasuror për të gjithë personat e përfsihirë në këtë skëme, ndërsa hetimet kishin nisur pas denoncimit të Zyrës së kadastrës qëndrore.
Ish kryekomununari i Ishmit, Sulejman Ibrahimi dhe ish-përgjegjësi i bujqësisë Enver Shima janë arrestuar edhe në vitin 2018 për tjetërsim të pronave të Gjirin e Lalzit në Durrës, ndërsa Ardian lIjazaj, është ish drejtori i Hipotekës që u shkarkua LIVE nga kryeministri Edi Rama.
Operacioni u kodua “Rodoni”