Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër u blindua për disa orë nga forca të shumta sigurie pasi Igor Kokunov i dyshuar si kreu i një grupi të rrezikshëm kriminal në Rusi dhe urdhërues i afro 30 vrasjeve, doli përpara kësaj gjykate pas kërkesës për ekstradim pasi u arrestua në fund të gushtit të këtij viti duke dalë nga pika kufitare e Muriqanit.

Seanca ndaj Kokunov u shty më 7 nëntor pasi shkresa e ekstradimit është e firmosur nga Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm i Rusisë dhe nevojitet një autoritet më i lartë si Ministri i Drejtësisë apo Prokurori i Përgjithshëm rus. Avokati mbrojtës i Kokunov Isuf Shehu thotë se e vetmja vepër penale që rëndon mbi 59-vjeçarin është ajo e marrjes së pozitës së lartë në hierarkinë kriminale, praktikisht kreu i një grupi kriminal të cilën pala mbrojtëse e mohon kategorikisht.

Avokati Shehu shprehet se i dyshuari Kokunov ka kërkuar azil në Shqipëri pasi nuk mund të ekstradohet drejt një shteti që shkel të drejtat e njeriut siç është Rusia.

Igor Kokunov ndodhet në burgun e Reçit në Malësinë e Madhe dhe pak kohë më parë kishte informacion se grupet kriminale të Beogradit në Serbi dhe Kotorrit në Malin e Zi do tentonin lirimin e tij përmes arratisjes. Kokunov mendohet se është kreu grupeve kriminale edhe në Beograd ndaj edhe për të janë marrë masa të rrepta sigurie.

Artikulli paraprakKULLA E INGLIZIT PO DEGRADON DITA- DITËS
Artikulli tjetërBELTOJË, FSHATI BRAKTISET NGA TË RINJTË