Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka komentuar takimin me shefin e qeverisë shqiptare Edi Rama në Uashington.
Në një postim në twitter, Blinken shkruan: “Ishte kënaqës të prisja kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe të festoj 100 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri. Mezi presim 100 vitet e ardhshme”.
Në takimin me Ramën një ditë më parë në Departamentin e Shtetit, Sekretari Blinken i shprehu kënaqësinë për anëtarësimin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB për periudhën 2022-2023.
Ai vlerësoi angazhimin dhe kontributin e Shqipërisë ndër vite, në organizma të shumta të Kombeve të Bashkuara, në të mirë të paqes dhe mirëkuptimit mes vendeve.
Nga ana e tij, Kryeministri Rama falenderoi Sekretarin Amerikan Blinken dhe shprehu kënaqësinë për takimin e zhvilluar në nisje të vitit, që shënon 100 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA-ve.
Kryeministri Rama dhe Sekretari Blinken vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes vendeve të konkretizuara në një sërë marrëveshjesh partneriteti me interes të ndërsjellë dhe theksuan angazhimin e përbashkët për thellimin e tyre të mëtejshëm. Sekretari Blinken u shpreh mirënjohës për bashkëpunimin e suksesshëm mes SHBA-ve dhe Shqipërisë në fusha të ndryshme.
Rama më herët mbajti një fjalë në pritjen e organizuar me rastin e fillimit të mandatit të Shqipërisë në Këshillin e OKB-së.
Ai u shpreh se anëtarësimi në Këshillin e Sigurimit shënon një tjetër gur themelor në rrugën drejt transformimit në përmbushjen e aspiratave si komb.