Bllokimi momental që i ka bërë prefekti Paulin Radovani bashkisë Shkodër duke mos firmosur dy-projekt vendime të këshillit bashkiak mes të cilave edhe atë të komisioneve, krijon një problem të madh edhe për kontratën për stadiumin “Loro Boriçi” që pritej të firmosej në mbledhjen e kësaj jave.

Tashmë praktikisht i bie që bashkia Shkodër për shkak të këtij bllokimi të prefektit të mos mbajë fjalën e dhënë për federatën shqiptare të futbollit se brenda kësaj jave do firmoste kontratën me FSHF-në, kontratë e cila i hap rrugë lëvrimit të fondeve për vazhdimin e mëtejshëm të rikonstruksionit të stadiumit të Shkodrës. Mosfirmosja e këtyre projekt-vendimeve mund të detyrojë që kontrata për stadiumin të shtyhet mbase deri me 9 ose 10 nëntor. Të enjten e kësaj jave do zhvillohet mbledhja urgjente dhe do miratohet sërish projekt-vendimi për komisionet. Të mërkurën e javës së ardhshme me 21 tetor pritet të miratohet kontrata e stadiumit. Pavarësisht se do kalohet në këshillin bashkiak do të duhen sërish 10 ditë pritje që prefektura të vendosë për ligjshmërinë. Këshilli bashkiak do e dërgojë kontratën e firmosur në FSHF por nëse federata kërkon edhe ligjshmërinë e prefektit dhe jo thjeshtë firmën atëherë krijohet një ngërç jo i vogël. Me 4 nëntor i bie që të përfundojë afati për firmosjen ose jo nga prefekti çka do thotë se nëse sërish Radovani nuk firmos atëherë këshilli bashkiak duhet të bëjë një tjetër mbledhje që nuk mund të zhvillohet më shpejt se me 9 ose 10 nëntor duke patur parasysh edhe ditët e pushimit. Shtyerja deri me 10 nëntor do të ishte një makth i vërtetë për bashkinë Shkodër në lidhje me rikonstruksionin e “Loro Boriçit” duke vështirësuar mbase marrëdhënien edhe me FSHF-në e cila nuk merr parasysh se si vepron bashkia apo prefektura por thjeshtë kërkon të ketë në dorë marrëveshjen e ligjshme për stadiumin “Loro Boriçi”. Para pak ditëve u zhvillua edhe një takim me anëtarin e komitetit ekzekutiv të FSHF Arben Dervishi të cilit iu premtua se kjo kontratë do firmosej shumë shpejt, premtim i cili duket se nuk do mbahet jo për fajin e bashkisë Shkodër. Nëse punët shkojnë në këtë mënyrë atëherë as fundi i vitit nuk mjafton që stadiumi i Shkodrës të jetë i gatshëm, çka nënkupton se Vllaznia pothuajse për krejt sezonin do të duhet të emigrojë për të zhvilluar ndeshjet jashtë fushës. Kjo sjell vështirësi jo vetëm për rezultatet por edhe anën financiare sepse jo vetëm se nuk grumbullohen të ardhura por klubit Vllaznia i shtohen ndjeshëm shpenzimet.

Artikulli paraprakSUKSESI I KOMBËTARES TEMË KRYESORE NË “STAR SPORT
Artikulli tjetërVITI I RI AKADEMIK 2015-2016