Bllokohen pagat e mësuesve Karabina: Shkak burokracia
Mësuesit dhe të gjithë punonjësit e administratës në Ministrinë së Arsimit ende nuk kanë marrë pagat e muajit të kaluar, edhe pse data shënon 5 korrik, ndryshe nga buxhetorët e institucioneve të tjera. Lidhur me këtë situatë ka reaguar ministrja teknike e Arsimit dhe Sportit, Mirela Karabina, e cila është shprehur se shkak për bllokimin e pagave është bërë burokracia e administratës. Ajo sqaron se veprimtaria e MAS është e bllokuar si pasojë e vonesës së miratimit të kërkesës zyrtare për emërimin e Nëpunësit Autorizues, kërkesë e përcjellë për miratim në datën 16 Qershor 2017. Deklarata e plotë e Ministres së Arsimit: Në detyrën e Titullarit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dëshiroj të bëj publike një çështje të rëndësishme siç është kryerja e pagave të punonjësve të administratës shtetërore të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Në mënyrë të qëllimshme, institucioni është i bllokuar si pasojë e vonesës së miratimit të kërkesës zyrtare për emërimin e Nëpunësit Autorizues, kërkesë e përcjellë për miratim në datën 16 Qershor 2017. Pavarësisht informimit të të gjithë instancave të larta shtetërore, të cilat janë përgjegjëse për zhbllokimin e situatës, kjo problematikë absurde po vijon të mbetet e njëjtë. Burokracia e administratës dhe manifestimet e ngjyrimeve politike nuk duhet të prekë pagat e punonjësve të administratës shtetërore. Bëj një apel institucional për angazhimin e të gjithë aktorëve të ngarkuar nga ligji, për të dhënë zgjidhjen e menjëhershme të problemit të krijuar artificialisht. Si Ministër i Arsimit dhe Sportit distancohem nga apatia e krijuar mes Departamentit të Administratës Publike dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Financave që nuk sjell zgjidhje. Garantoj zbatueshmërinë e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave kushtuese të institucionit që unë drejtoj.