Gjendja në territorin e Bashkisë Shkodër paraqitet në përgjithësi normale përvec situatës në njësitë administrative malore ku prezenca e madhe e dëbores ka sjellë vështirësi në qarkullim.
Kalimi është i vështirë në territorin malor dhe rruga Prekal-Theth është e bllokuar në segmentin rrugor të Malit të Shoshit. Rrugët e brendshme që lidhin disa fshatra në njësinë administrative Pult gjithashtu janë të bllokuara. Rruga për në fshatin Bruçaj në Qafë-Thanë është e bllokuar.
Rruga për në fshatin Mazrek të njësisë administrative Gur i Zi, është e bllokuar. Në njësinë administrative Ana e Malit janë të përmbytura mbi 300 ha.
Problem shqetësues paraqiten edhe punimet që po bëhen në rrugën e Velipojës pasi në fshatin Trush janë bllokuar kanalet anësore dhe ka përmbytje të tokave që janë afër rrugës.
Furnizimi me energji elektrike ka probleme pothuajse në të gjithë njësinë administrative Dajc.
Gjithashtu si pasojë e shembjes së kanalit të H/C të Ndërlysës njësia Shosh dhe Shalë janë pa energji elektrike. Në zonat malore rezervat ushqimore janë drejt pakësimit, për faktin se nuk operojnë shumë njësi tregtare në ato zona.
Në zonat malore janë prishur edhe disa mullinj bloje. Gjithashtu kërkohet furnizim me bazë ushqimore për kafshët në zonat malore.