Separatistët pro-rusë në rajonin lindor të Ukrainës, në Donjeck njoftuan se kanë bllokuar aksesin në Facebook dhe Instagram në territoret e rajoneve të kontrolluara prej tyre që prej vitit 2014, rajone të cilt përbëjnë Republikën Popullore të Donjeckut. Në një deklaratë për shtyp të publikuar më 11 maj, Ministria separatiste e Komunikacionit deklaroi se ky vendim u mor “për të mbrojtur banorët e RPD nga informacionet e ndaluara që përbëjnë kërcënim për jetën e tyre.”
“Qasja ndaj rrjeteve sociale të Meta-s, Facebook dhe Instagram u bllokua në territorin e Republikës”, thuhet në deklaratë, duke shtuar se ky vendim u mor për të parandaluar shpërndarjen e “pornografisë me të mitur, përmbajtjen që propagandon narkotikët, vetë-vrasjet dhe informacione të tjera të ndaluara, përfshi dhe përmbajtje me konotacione ekstremiste dhe terroriste”.
Kompania “Meta Plaforms Inc.”nuk ka dhënë ende asnjë koment mbi deklaratën, e cila vjen në kohën kur Rusia vazhdon të censurojë informacionet online mbi pushtimin e saj të paprovokuar në Ukrainë. Rregullatori shtetëror rus i komunikacioneve bllokoi qasjen në Instagram menjëherë pas nisjes së pushtimit më 24 shkurt, dhe pasi Meta deklaroi se do të lejonte përdoruesit e mediave sociale në Ukrainë të postonin mesazhe si “Vdekje pushtuesve rusë”. Rusia mban lidhje të ngushta me Donjeckun dhe një tjetër rajon në lindje të Ukrainës, Luhanskun, dhe ka mbështetur kryengritjet pro-ruse në dy rajonet separatiste, pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014.