Një masiv shkëmbor ka bllokuar sërish aksin rrugor Tamarë – Vermosh në njësinë administrative Kelmend në Malësinë e Madhe.
Mëngjesin e sotëm është konstatuar se gurët kanë bllokuar totalisht kalimin në vendin e quajtur Gropat e Selcës. Shkak i këtij bllokimi është bërë rreshqitja e gurëve si pasojë e lagështirës. Aktualisht, rreth 1000 banorë në fshatrat Vermosh dhe Lëpushë mbeten të bllokuar. Edhe ato automjete që i janë drejtuar Vermoshit, duhet të përdorin kalimin përmes Malit të Zi në pikën kufitare të Hanit të Hotit. Ndërkohë, kreu i njësisë administrative Adriatik Çekaj bën me dije se fadroma që kanë në dispozicion e ka të pamundur hapjen e rrugës, ndërsa firma e kontraktuar ka nisur disa automjete të tjera me qëllim hapjen e aksit. Sipas kreut të njësisë, rruga mund të mbetet e bllokuar deri mesditën e së mërkurës, kjo në varësi të shpejtësisë me të cilën do të operojë firma. Ai u ka bërë gjithashtu thirrje banorëve që të shmangin lëvizjet në këtë aks rrugor, pasi automjetet e kanë të pamundur të kalojnë. Kjo është hera e dytë që ky aks bllokohet në këtë fillimvit. Edhe më parë janë shfaqur mjaft probleme për shkak të reshjve të borës.