Këto pamje të borës vijnë nga Qafë Thorja që lidh Thethin me Shkodrën.Kjo është bora e parë për këtë vit që ka mbuluar Qafën e Thores. Në pamje të parë këto imazhe janë të bukura por për banorët e zonës dhe ata që kanë bujtinat kthehet në një problem të madh i cili vijon të përsëritet çdo vit. Ky segment që lidhe Shkodrën me Thethin dhe fshatrat e tjerë tashmë është bllokuar.
Janë të paktën 1 e 10 cm borë vetëm aktualisht duke e bërë të pamundur kalimin për të gjitha mjetet dhe duke bllokuar në një farë mënyrë një pjesë të konsiderueshme të turizmit. Nëse reshjet e borës vijojnë trashësia në rrugë mund të shkojë edhe më shumë se kaq duke e vështirësuar situatën dhe duke bllokuar edhe një pjesë të konsiderueshme të aksit nga Boga e Malësisë së Madhe deri në Qafë Thore.
Kjo krijon vështirësi të mëdha për banorët e një pjese të Dukagjinit të cilit nga ky aks nuk kanë mundësi për të lëvizur por edhe për pronarët e bujtinave. Sipas burimeve një numër i konsiderueshëm prenotimesh janë kthyer mbrasht nga bujtinat për shkak se rruga tashmë është bllokuar dhe nuk mund t’i presin duke anuluar kështu rezervimet.
E vetmja mundësi për të shkuar në Theth është në anën tjetër përmes malit të Shoshit por rruga andej është tejet e rrezikshme për shkak të amortizimit dhe rrugës së ngushtë malore por edhe shumë më e gjatë duke e bërë pothuajse të pamundur udhëtimin në atë pjesë por edhe të padëshirueshëm.
Të vetmet raste kur banorët udhëtojnë nga Thethi në malin e Shoshit dhe më pas drejt Shkodrës është kur kanë emergjenca shëndetësore ose ndonjë problem tjetër madhor sepse në të kundërt qëndrojnë të izoluar duke pritur që të kalojë dimri. Prej vitesh kërkohët që institucionet të mundësojnë mbajtjen hapur të aksit në Qafë Thore por kjo nuk ka ndodhur asnjëherë ndërsa përsëritet edhe këtë vit.
Në Qafë Thore përgjatë atij aksi ka nisur edhe rikonstruksioni i rrugës por punimet janë ndërprerë edhe pse pritej që deri në fund të vitit të përfundonin. Duhet të presim pranverën e vitit të ardhshëm për të rifilluar punimet. Sipas burimeve disa mjete të firmës që po rikonstrukton rrugën janë mbuluar nga bora dhe janë bllokuar aty. Në momentin kur do të ketë reshje bore të konsiderueshme edhe në malin e Shoshit atëherë i gjithë Dukagjini bllokohet në dy anët e tij duke bërë që banorët të qëndrojnë të izoluar.