Rektorja e universitetit të Shkodrës Suzana Golemi që më 4 gusht ka bllokuar programin e doktoraturës “Ekonomi dhe Turizmi i Qëndrueshëm” në fakultetin ekonomik të universitetit “Luigj Gurakuqi”. Mungesa e kësaj shkrese që rektorja do duhej të dërgonte në Ministrinë e Arsimit për hapjen e kësaj doktorature ka detyruar drejtuesit e programit ERASMUS+ dhe universitetet partnere që kanë aplikuar sëbashku në Bashkimin Europian që t’i drejtohen me një shkresë zyrtare universitetit të Shkodrës dhe konkretisht rektores Suzana Golemi. Afati i fundit është datën 14 nëntor për t’i hapur rrugë kësaj doktorature ose në të kundërt do të duhet të kthehen mbrapsht paratë e financuara në këto pothuajse dy vite si dhe universiteti i Shkodrës dhe universitetet partnere rrezikojnë të përjashtohen në vitet e ardhshme për të aplikuar në programet që mbështet BE. Ja se çfarë shkruhet në letrën e plotë dërguar rektores Golemi:
“I nderuar Rektor Suzana Golemi, në emër të Konsorciumit të Projektit Erasmus+ MARDS ne dëshirojmë t’ju kërkojmë të konfirmoni dokumentacionin e Programit të Doktoraturës “Ekonomi dhe Turizmi i Qëndrueshëm” nga ana e Universitetit tuaj të respektuar dhe të zgjidhen të gjitha çështjet administrative në lidhje me kërkesat e projektit dhe detyrimet për nisjen me sukses të Programit të Studimit të Doktoraturës të nxitur nga Erasmus+Programi MARDS. Veprimi nga ana juaj është i nevojshëm menjëherë. Sipas informacioneve që kemi nga Ministria përkatëse, hapi i ardhshëm për të lehtësuar këto proçedura që ështe hapja e thirrjes për regjistrimin e studentëve të Programit të Doktoraturës mbështetet vetëm në autoritetin e Rektorit. Ky është detyrimi i fundit i papërmbushur në kuadër të projektit MARDS për Universitetin e Shkodrës dhe duhet të përmbushet përpara përfundimit të projektit, që është më 14 nëntor 2022. Nëse programi i doktoraturës nuk konfirmohet dhe thirrja e regjistrimit nuk kryhet para përfundimit të Projektit, mund të ndodhin penalitete të konsiderueshme financiare për ju si partner dhe Universiteti i Shkodrës mund ta gjejë veten në pozicionin e kthimit të parave të marra në kuadër të projektit. Gjithashtu, një masë tjetër e mundshme mund të jetë ndalimi i pjesëmarrjes së Universitetit të Shkodrës në çdo projekt tjetër të BE-së për disa vite të ardhshme. Ju lutemi mbani parasysh që pasojat negative mund të jenë edhe për të gjithë partnerët e konsorciumit dhe në këtë mënyrë të rrezikohet reputacioni i tyre. Gjithashtu penalitetet financiare mund të ndëshkojnë edhe partnerët e tjerë të konsorciumit. Po shfrytëzojmë rastin për t’ju kujtuar se kjo nuk është vetëm përgjegjësi institucionale, por gjithashtu përgjegjësinë personale e Rektorit si përfaqësues ligjor i partnerit të projektit Erasmus+ MARDS. Ne dëshirojmë të besojmë në mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj dhe për këtë arsye ju bëjmë thirrje të përgjigjeni pozitivisht dhe menjëherë për të shmangur pasojat krejtësisht negative”.