16 persona janë arrestuar dhe 5 të tjerë janë vënë në hetim pasi kanë bllokuar rrugët pas protestës.
Nga sa mësohet, ato kanë bllokuar disa prej rrugëve në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ si edhe kanë kundërshtuan punonjësit e policisë.
Nga ana tjetër, 5 persona janë vënë në hetim. Ndaj tyre rëndon akuza për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e qetësisë publike”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.
Ditën e djeshme, qindra qytetarë dolën në protestë ditën e djeshme kundër rritjes së çmimeve në të gjithë vendin. Ishin me qindra qytetarët që u mblodhën fillimisht para Kryeministrisë ku mbajtën fjalën e tyre shumë aktivistë dhe qytetarë të thjeshtë që i kërkuan qeverisë që të dëgjojë zërin e tyre dhe të ndërhyjë për të ndalur çmimet abuzuese që po rëndojnë xhepat e të gjithë shqiptarëve.
Pas protestës rreth dy orë para Kryeministrisë, qytetarët iu drejtuan rrugëve të kryeqytetit, ku bllokuan qarkullimin e mjeteve në Unazën e Vogël dhe kryqëzimin e Parku Rinia. Bllokimi i rrugëve solli një kaos dhe radhë kilometrike makinash dhe autobusësh. Protestuesit i bënë thirrje shoferëve për të fikur makinat dhe të bashkoheshin me ta, ndërsa shumë mjete nisën lëvizjen në sens të kundërt të rrugës për të shmangur bllokimin.
Është dashur ndërhyrja e policisë që të lironte trafikun dhe të rikthehet situata në normalitet. Protestuesit kanë njoftuar se do të protestojnë çdo ditë para kryeministrisë, por edhe në disa qytete të vendit, teksa protesta do të kulmojë të shtunën në orën 11:00.