“E vrava sepse për t’u vetëmbrojtur”. Kështu ka deklaruar në policinë e Shkodrës Luigj Bludaj, 31 vjeçari i cili dyshohet si autori i vrasjes së Gjokë Arrës në fshatin Gjuraj në njësinë Pult të Dukagjinit.
Më tej ka sqaruar se debati ka nisur për bagëtitë e 31 vjeçarit Gjokë Arra të cilat kanë hyrë në tokat e vëllezërve Bludaj. Pas debatit, gjërat janë acaruar më tej duke krijuar edhe një konflikt pas të cilit janë përdorur edhe armët. Sipas Luigj Bludaj, Gjokë Arra ka tentuar që ta vrasë duke provuar që të qëllojë ndaj tij dhe në këtë moment për t’u vetëmbrojtur ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar ndaj tij duke e lënë të vdekur në vend. Nga ana tjetër Luigj Bludaj ka deklaruar për policinë se vëllai i tij Çesk Bludaj që është shpallur në kërkim nuk ka qenë i pranishëm në vendin e ngjarjes duke marrë kështu përsipër vrasjen e Gjokë Arrës. 31 vjeçari i dyshuar si autor i vrasjes u vetëdorëzua për policinë pas dy ditësh nga momenti i ngjarjes duke kërkuar siguri që policia të mos qëllojë ndaj tij dhe të mos keqtrajtohet. Pas negociatave të gjata është dorëzuar duke dhënë edhe versionin e vrasjes që sipas tij ka ardhur për vetëmbrojtje pasi bagëtitë e Gjokë Arrës kishin hyrë në tokën e vëllezërve Bludaj. Nga ana tjetër burime pranë policisë por edhe viktimës dhe vëllezërve Bludaj bëjnë me dije se vrasja ka ardhur për pazare të drogës dhe parcelave të mbjella me cannabis sattiva në toka pa pronarë në mallet e Dukagjinit. Dyshohet se kanë paditur njëri-tjetrin për parcelat e mbjella duke bërë që policia të asgjesojë rreth 20 mijë rrënjë cannabis me një investim prej 80 mijë eurosh ndërsa në treg vlera shkon rreth 1 milion e gjysëm euro. Kjo pistë mbetet ende në dyshim dhe hetimet e mëtejshme të detajuara pritet të zbardhin të plotë këtë ngjarje që përfundoi me vrasjen e 31 vjeçarit Gjokë Arra.