Deputeti Ben Blushi, duke marrë fjalën në kongresin e PS, ka kritikuar ashpër lidershipin e partisë, i cili sipas tij ka marrë monopolin e këtij subjekti politik dhe po imponohet përmes dhunës.

Duke iu përgjigjur deklaratave të kryetarit Rama, se ata që kërkojnë ndryshime në PS janë një pakicë, Blushi është përgjigjur: “Në këtë parti ka një shumicë dhe një pakicë. Një shumicë absolute që kërkon një parti të përbashkët për të gjithë dhe një pakicë relative që kërkon një parti vetëm për vete. Unë flas në emër të kësaj shumice, ajo mund të jetë e frenuar, por ekziston. Ajo po pret që të çlirohet, ajo është një shpirt i zënë rob me kusht, nga një grusht. Ne do t’i japim mundësi kësaj shumice të flasë dhe të votojë me votë të lirë”, ka deklaruar Blushi. Duke nënvizuar se, “të gjithë bashkë duhet të kemi një gjë të përbashkët”, Blushi ka parashtruar një seri pyetjesh. A jemi të barabartë ne në këtë parti? Apo i japim dikujt më shumë fuqi, apo disave më shumë pushtet? A ka shkelje në jetën e PS, a ka patur shkelje e deformime? A mund të fajësohet dikush apo disa se flasin në emër të kësaj të vërtete? “Unë mendoj se e drejta e gjithësecilit po mbytet. Një pakicë e pavotuar po detyron një shumicë ta pranojë atë si shumicë pa zgjedhje. Nëse kjo pakicë ka një meritë, ajo është pengmarrja e PS”, ka thënë Blushi. Sipas tij, është pikërisht kjo pakicë që e konsideron atë armik të PS. “Për këtë pakicë, nëse kërkon zgjedhje, zgjidhje apo mbledhje je 3 herë armik. Nëse do më shumë punësim je shumë armik, nëse do rritje pagash je shumë më shumë armik. Nëse do pastrim të PS nga krimi je armiku i mikut dhe nëse do që të mos ketë njerëz me precedentë penal je miku i armikut. Ky është morali i kësaj pakice, kriteri, nderi dhe misteri i kësaj partie shumicë. Këtë unë nuk do ta pranoj kurrë. Poshtërimi dhe lincimi që i është bërë PS nuk ka ardhur nga mungesa e kohës dhe socialistëve, por nga arroganca dhe besimi delirant se të gjitha rrugët e PS janë të një njeriu, se të gjithë duhet të japin votën për një njeri. Ai është Edi Rama”, ka thënë Blushi. Më tej, ai ka bërë edhe një sërë referimesh, të cilat, ka thënë ai, janë fakte dhe jo opinione, sikurse pretendon kryetari i PS. “Që në PS nuk ka zgjedhje prej 3 vjetësh, nuk është opinion, por fakt. Që Rama është kryetari i vetëm i PS në Europë prej 7 vjetësh është fakt. Që në PS janë futur njerëz me precedentë penalë, nuk është opinion, por fakt. Premtimet që bëmë në fushatë e që nuk i kemi mbajtur, nuk është opinion, por fakt”, ka thënë Blushi. Për të provuar se kush është shumica dhe kush është pakica, ka shtuar ai, “e vetmja gjë që duhet bërë janë zgjedhjet”. “Kush ka të drejtë ta zhveshë PS nga kjo normë dhe parim i konsoliduar? Unë do pranoj këdo që zgjidhet, por nuk do të pranoj asnjë zgjidhje që imponohet pa zgjedhje”, ka thënë deputeti rebel.

Artikulli paraprakPARANDALIMI I AKSIDENTEVE DHE SIGURIA NE RRUGE, POLICIA ME RADAR NE MALESINE E MADHE
Artikulli tjetërMIMOZA HAFIZI: PS E SHKODRES, ARMIKUN E KA PASUR BRENDA VEHTES