Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka pretenduar sot (25 Tetor) se kryetarit të arrestuar më 21 Tetor te “Kthesa e Kamzës” me urdhër të SPAK dhe vendim të GJKKO-së për disa akuza, i kanë futur në burg disa të burgosur që ta provokojnë.

Deklaratën ai e bëri teksa mori pjesë në protestën e radhës të opozitës, para Bashkisë së Tiranës. Në fjalën e tij, Blushi e cilësoi përsëri si “burgosje politike”, pa prova dhe madje një rrëmbim terrorist, duke akuzuar drejtësinë si të kapur.

Blushi paralajmëroi se “vijat e kuqe janë kaluar dhe është koha për aksion”, duke bërë thirrje për më shumë organizim opozitar.

“Një përshëndetje për presidentin e PL që po na ndjek. Rrëmbimi i presidentit nga kjo bandë terroriste nuk është gje tjetër veçse kapitullim pa kushte i reformës në drejtësi. Është e qartë që arrestimet politike i udhëron Edi Rama. Është e qartë që burgosja politike e Presidentit të PL, e liderit të PD është bërë pa fakte, pa prova dhe pa dëshmi. Madje më e rëndë akoma, edhe më ironik është fakti që këto akuza janë ngritur mbi krime që ka bërë vetë Edi Rama”, tha Blushi.

Ai paralajmëroi “horrat” që t’i rrinin larg Metës në ambientet e burgut dhe të mos provokonin, pasi “ata e dinë përgjigjen që u japin armiqve”.

“Vijat e kuqe janë kaluar dhe është koha e aksionit. Është koha të organizohemi më shumë se kurrë. I bëj thirrje këtyre horrave që i kanë futur në burg për të provokuar Ilir Metën. Mos na provokoni t’ju japim një përgjigje si shqiptar. Dhe ju e dini përgjigjen që i japim armiqve të këtij vendi”, tha ai.

Artikulli paraprakFILMI KOMEDI “DASHURI ME KËSTE”
Artikulli tjetërLEZHË, DËRGOHET PËR GJYKIM 40-VJEÇARI