Kuvend – Blushi: Vangjush Dako i Durrësit bëri sekserin për Lulzim Berishën
Deputeti Ben Blush, kryetar i Partisë Libra, tha se qeveria që pretendon se ka fituar zgjedhjet në Kolonjë dhe Dibër ka humbur në Bruksel, duke theksuar se Shqipëria nuk ka një datë për hapjen e negociatave dhe vitin tjetër kjo datë mund të përfundojë në shtigje të panjohura. Duke u ndaluar tek rasti i Lulzim Berishës, Blushi tha se lirimi i tij u bë me ndërmjetësimin e Vangjush Dakos, fytyra e Rilindjes siç theksoi ai, duke e konsideruar sekser midis Gjykatës dhe të akuzuarit për pesë vrasje. Blushi: Siç ishte parashikuar, BE nuk caktoi një ditë. Sot do të ishte këtu një seancë e jashtëzakonshme, por për fat të keq ishte mediokre. Askush nuk mbajti përgjegjësi dhe askush nuk kërkoi përgjegjësi. Në një vend normal do të ishte kërkuar një mocion për qeverinë. Qeveria që pretendon se fiton në Kolonjë dhe në Dibër, ka humbur në Bruksel. Ka vënë në diskutim serioz gjithë procesin e anëtarësimit, i cili gjatë vitit të ardhshëm do të jetë edhe më i diskutueshëm jo vetëm se në Shqipëri ka zgjedhje, por do të ketë zgjedhje edhe në gjysmë të Evropës, duke e shtyrë datën në një proces të panjohur. Kjo qeveri, që ka gati 3 vjet e gjysmë mandat, duhet të bëjë një bilanc, kur vjen puna tek varfëria, korrupsioni, tek cilësia e shkollave është shumë i rëndë për këtë qeveri. Çfarë shtoi për procesin e integrimit? Problemet me gjyqësorin kanë ekzistuar prej 25 vjetësh. Bëmë një reformë në korrik të këtij viti dhe në qoftë se pyesni shqiptarët e kanë besim tek Vettingu, unë them që jo. Shqiptarët nuk besojnë se kjo klasë politike të vendosë shtratin e duhur për një reformë në drejtësi. Pse kërcënohet drejtësia në Shqipëri? Kërcënohet nga Gjykata Kushtetuese? Qeveria thotë po! Nuk është vetëm kaq! Duhet të marrim rastin që ndodhi në Durrës. U lirua njëri që ka vrarë 5 vetë, kreu i Bandës së Durrësit. Pse u lirua ky njeri? U lirua se sepse një kryetar bashkie me mandat politik që është fytyra e vërtetë e Rilindjes i dha një vlerësim pozitiv dhe bëri sekserin mes gjykatës dhe vrasësit. Kjo do të thotë pra se është politika mbas shumicës së vendimeve. Si ka mundësi? Si shumicë, Rilindja e ka të përsëritur këtë gjë me kryetar bashkie që ndërhyjnë për të shpëtuar nga burgu. Nuk flas për gjynahqar që hyjnë në burg për 5 mijë lekë. Rasti i Kavajës është i përsëritur. Për të mos folur për shumë deputetë këtu që i kap procesi i dekriminalizimit. Çfarë ndodhi në Durrës? Gjykata kërkoi mendim tek bashkia dhe i tha këtë vrasësin mund ta nxirrni sepse i siguroj punë. Ndërkohë që më përpara tha se këtë vrasësin mund ta nxirrni se qenka i sëmurë. Kë do të marri në punë? Njërin që është varës apo atë që është i sëmurë? Do ta çojë në punë vullnetare për të pastruar Bulevardin e Durrësit. Kushdo që e mbron këtë rast ka diskretituar procesin e Vettingut, reformën në drejtësi dhe kjo është arsyeja që nuk morëm statusin. Çmimi i Gjushit të Durrësit, Arben Nokës, Klement Balilit, Elvis Roshit. Ky është çmimi. Nuk hyjmë në BE për shkak të miqësive që kryeministri ka me këta tipa. Kjo është arsyeja sepse Gjykatat nënshtrohen, Vettingu nuk funksionon, Vettingu nuk ka për të funksionuar sepse gjykatat kanë frikë nga qeveria. Në qoftë se Vettingu është bërë që gjykatat të kenë edhe më shumë frikë ndaj kësaj qeverie apo qeverive të tjera, sigurisht do të ndodhi prapë Durrësi. Elvis Roshi është në detyrë. A ka mundësi që një parti normale në Evropë të mbajë në punë një njeri që Gjykatat e kanë pezulluar nga puna dhe ai shkon e firmos në Kavajë. Gjushi vjen pas tij. Ka deputetë këtu që kanë vrarë dhe erdhën e votuan buxhetin para dy javësh. Ku mund të ndodhi kjo? Besoni se shqiptarët do ta besojnë se procesi i Vettingut është serioz? Kanabizimi – Çfarë ka shtuar kjo qeveri në 3 vjet problemeve që kishim? Ua them prapë. Kanabizim. Kishim Lazarat, por nuk ishim lazaratizuar. Për çfarë ndodhi kjo? Sepse dikush mendoi që ekonomia po fundosej në shkurt të këtij viti kur inflacioni shkoi 0.2 për qind edhe me ndihmën e profetit të Rilindjes që Gjykata Kushtetuese ia zhvlerësoi mandatin, e kanabizoi vendin sepse duheshin më shumë likuide në vend. BE e konsideron problem dhe kjo është një arsye që negociatat nuk u hapën. Po furnizojmë me drogë dhe helm shumicën e të rinjve në Evropë. Si mund të besoni që BE të pranojë një vend që është kthyer në arë kanabisi me përmasë globale. E vetmja armë kanabisi legale, me ndihmën e qeverisë, me frymëzimin e qeverisë, me kultivimin e qeverisë, me pandëshkueshmërinë e qeverisë. Ata që bëjnë kanabis në Shqipëri dhe që mbjellin dhjetëra hektarë, nuk janë fshatarë, janë bosë droge që mbrohen nga qeveria, siç është rasti i vrasësit të Durrësit. Kriminalizimi– Se kishim këtë problem para tre vjetësh. E ka shtuar kjo qeveri. Është në listën e meritave të saj. Edhe sigurisht, cenimi i besimit të shqiptarëve tek Evropa. Është dëmi më i madh në këto tre vjet. Skepticizmi nëse ia vlen apo nuk ia vlen të anëtarësohesh në Evropë është duke u rritur. Evropa ka problemet e saj, por sado të ketë ne kemi aq shumë sa hyrja jonë në BE po kthehet në një gjëegjëza që do të abortojë kaq shumë shpresa dhe kaq shumë besim tek BE, sa mund të jetë shumë vonë. Blerja e zgjedhjeve- Fola për kanabizimin dhe dekriminalizimin. Sigurisht, qëllimi është për të blerë zgjedhjet. Edhe sot në mënyrë të turpshme në një akt qesharak parashikon që Komisioni që mori për sipër për 6 muaj të bëjë reformën zgjedhore dhe që u mblodh vetëm një herë duhet të shtyhet edhe për dy muaj. Në këtë çorbë të dyja palët janë njëlloj. Qeveria nuk mund të ketë interes por kur opozita dështon është edhe më e rëndë. Më kujtohen 4-5 muaj më parë kur thoshin se nuk do të votojmë asgjë nëse nuk ka numërim elektronik. Nuk kanë sjellë akoma asnjë amendament. Pse e tradhtuan këtë kauzë? Në qershor, votim elektronik nuk do të ketë. Nuk do të ketë numërim elektronik. Votat do t’i numërojnë këta. O vijnë nga roshët, o Lulët e Durrësit o arat e kanabisit. Do të korrin gjithë ditën dhe do të numërojnë votat në darkë. E tradhtuat me qëllim. Nuk ishte Shqipëria keq për një faturë. Kaq para harxhohen në kinkaleri që kryeministri dhuron çdo vit. Siç po tradhtoni bashkërisht gjithë procesin e integrimit. Shqiptarët duhet ta dinë se emigrantët nuk do të votojnë sërish. Ata kanë mbajtur ekonominë shqiptare nga falimenti. Financimet e partive politike? Asgjë nuk është bërë. Dy ose tre parti me para të vjedhura, me kanabis, me dhunë do të shkojnë prapë në zgjedhje për të blerë votat. Pse po jepen kaq shumë koncesione? Ndahen me Lul Berishën, i cili do të kthehet në investor pas ca vitesh dhe pjesa tjetër do të shkojë për të blerë zgjedhjet. Nuk ka asnjë vend në Evropë që nuk kontrollon financimet e partive politike. A ju vret sytë shqiptarëve se si një shesh në mes të qytetit mbulohet me tapetë të kuq në një vend kaq të varfër sa Shqipëria. Nga dalin këto para.