Nga Shkodra nënkryetari i PD Luçiano Boçi dhe drejtues politik i këtij qarku i bëri thirrje qytetarëve shqiptar që të bashkohen në protestën e opozitës më 7 tetor përpara kryeministrisë. Boçi tha se kjo protestë do të ketë mosbindje civile.
Kjo protestë ndryshe nga më përpara nuk do të ketë fjalime por do të bazohet tek aktet e forta të pjesëmarrësve ku nuk përjashtohet përplasja me policinë tha Boçi në rast se ka rezistencë nga ana e efektivëve.
Pas deklaratave nga ambasador të ndryshëm që dënuan aktet e opozitës brenda dhe jashtë Parlamentit, faktori ndërkombëtar tha nënkryetari i PD duhet që të atashohet në atë që është interesi publik i Shqipërisë për një vend demokratik dhe me zgjedhje të lira.
Duke iu përgjigjur akuzave të kryeministrit Rama dhe sekretarit të PS Blendi Klosi se PD po ndërmerr akte vandale, Boçi tha se vandalizmi më i madh është vrasja e demokracisë. Kërkesa e opozitës për qeveri teknike është e pashmangshme.
Pas këtyre deklaratave nënkryetari i PD vijoi një mbledhje me strukturat e Partisë Demokratike të Shkodrës duke dhënë udhëzimet e fundit për protestën e 7 tetorit që do të zhvillojë opozita.