Gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura të kryesisë së PD Shkodër, drejtuesi politik i këtij qarku Luçiano Boçi deklaroi se armiku kryesor është kryeministri Rama ndërsa la porosi që kryesia dhe gjithë të tjerët të angazhohen maksimalisht për të patur një pjesëmarrje sa më të madhe në protestën e 11 korrikut.

“Më vjen mirë që jemi kthyer në këtë seli këtu në Shkodër dhe që tashmë edhe ligjërisht jemi Partia Demokratike se moralisht kemi qenë prej fillimit. Ne përballemi çdo ditë me banda elektorale e kriminale të qeverisë, banda e bashkisë Shkodër, banda e policisë së shtetit që të mos përsërisim gjëra që ju i dini shumë mirë. Përdorin bandat, grabisin, patronazhojnë, blejnë votat por kjo nuk duhet që të na demoralizojë. Këtu ka qenë baza e PD dhe i kemi borxh Shkodrës. Kemi përballuar përplasje nga të pamenduara më parë. Kam ardhur si demokrat i thjeshtë që jam i revoltuar dhe për t’ju bashkuar edhe revoltës tuaj. Rama është armiku ynë kryesor, ka përzënë rininë, ka dështuar arsimin, bujqësinë dhe çdo gjë tjetër. I shihni zyrtarët në Shkodër, administratorët në Shkodër dhe gjithë shtetin të korruptuar dhe ne duhet që ta shembim me vepra dhe angazhim.

Edi Rama është armiku jonë më i madh. Jemi marrë me veten tonë dhe kemi kaq vite që merremi me veten tonë. Ajo që duhet të rivendosim ne është komunikimi brenda nesh dhe që quhet bashkimi i PD dhe komunikimi me gjithë strukturat e PD dhe më pas me gjithë qytetarët e qarkut dhe bashkive në gjithë vendin. Nuk duhet të na mbysë emocioni i kësaj salle por duhet të dalim dhe t’i japim besën qytetarëve dhe të ndërtojmë një vizion të qartë me qytetarët për t’i thënë se do jemi pjesë e projekteve zhvillimore të vendit dhe kjo bëhet jo me fjalë por me vepra konkrete.

Qytetarët ta kuptojnë që janë të mbështetur nga ana jonë dhe të duan t’i bashkohen programit tonë shpresdhënës. Forma e komunikimit kur je në politikë është protesta dhe kjo nuk është një teori. Sytë dhe veshët e çdo qytetari shqiptar, i majtë i djathtë me parti e pa parti duhet të jenë në sheshin përpara kryeministrisë dhe nga aty përhapet shpresa e fitores dhe nuk duhet të dështojmë, nuk duhet që të jemi pak në numër. Ne duhet që të marrim përgjegjësitë tona sepse kryesia e PD nuk është honorifike. Të mos neglizhojmë asnjë qytetar, asnjë biznes”.

Më pas gjatë mbledhjes u zhvilluan edhe disa diskutime ku një pjesë e anëtarëve të PD Shkodër mbështetën protestën dhe Boçin në diskutimin e tij por kërkuan gjithashtu që të mbahen zgjedhje për degën lokale duke qenë se kryetari aktual Gjenarin Kapcari pritet që të japë dorëheqjen. “Pas kësaj proteste në parti të bëhen zgjedhjet se kështu nuk shkon më. Duhet të bëhen zgjedhjet dhe kujtdo t’i jepet ajo që meriton”, tha një anëtar i kryesisë së PD. Boçi mbështeti demokratët shkodran për zhvillimin e zgjedhjeve në degën lokale në një të ardhme të shpejtë.

Artikulli paraprakPD SHKODËR RIKTHEHET NË SELI PAS DY VITESH E GJYSËM
Artikulli tjetërNDOCAJ NË TRYEZËN E HARKUT OPOZITAR EUROATLANTIK