Ulja e temperaturave dhe përkeqësimi i motit edhe në këtë fillim jave ka bërë që në aksin rrugor Bogë-Theth që lidh Shkodrën me Dukagjinin si dhe në segmentin Tamarë-Vermosh të ketë sërish reshje bore.
Në këto zona malore të Shkodrës dhe Malësisë së Madhe reshjet e shiut dhe borës pritet që sipas parashikimit të motit të vijojnë edhe përgjatë kësaj jave. Në këto akse rrugore gjatë ditës së sotme ka patur edhe rrëshqitje gurësh por që janë pastruar.
Deri në lartësinë 1200 metër mbi nivelin e detit ka reshje shiu ndërsa mbi këtë lartësi nisin reshjet e borës. Ndërkohë menjëherë pas rikthimit të borës në aksin Bogë-Theth dhe Tamarë-Vermosh janë marrë masat e duhura nga firma e nënkontraktuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar për rajonin e veriut për pastrimin e këtyre rrugëve nga bora në mënyrë që automjetet të lëvizin normalisht.
Ndërkohë për shkak se pritet që moti të vijojë me temperatura të ulta edhe për disa ditë tjera këshillohet që drejtuesit e automjeteve që shkojnë drejt Bogës, Thethit apo Lëpushës e Vermoshit në Malësinë e Madhe të kenë makinat e tyre me goma dimërore dhe të jenë të paisur me zinxhirë për çdo situatë emergjente si shkak i reshjeve të bores apo ngricave që mund të jenë. Po ashtu këshillohet nga ARRSH dhe policia e Shkodrës që të shmangen lëvizjet e panevojshme në Theth dhe Vermosh derisa reshjet të pushojnë dhe rrugët të hapen plotësisht në mënyrë që të eleminohen aksidentet e mundshme rrugore. Pavarësisht reshjeve të borës të rëna herë pas here këtë dimër, rruga Bogë-Theth por edhe aksi Tamarë-Vermosh në Malësinë e Madhe kanë qëndruar të hapura ndërsa edhe aktualisht po punohet me dy borëpastruese për të mos lejuar bllokimin e këtyre dy segmenteve të rëndësishëm.