Bojkoti i pedagogëve në universitetet shqiptare vijoi për të tretën javë me radhë. Pedagogët e universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” u mblodhën përpara fakultetit ekonomik duke protestuar dhe duke kërkuar plotësimin e kërkesave të tyre nga ana e qeverisë duke qenë se Sindikata e Punonjësve të Universiteteve ka paralajmëruar edhe grevë urie.
Kreu i sindikatës në Shkodër Saraçi tha se deri më tani reagimet e institucioneve janë shpërfillëse.
Protestës në Shkodër iu bashkua edhe ish-rektori i këtij universiteti Adem Bekteshi i cili deklaroi se kërkesat e pedagogëve janë të drejta ndërsa i bëri thirrje qeverisë që ta shohë më thellë problemin.
Visar Dizdari, shef i departamentit psikologji dhe punë sociale në fakultetin e shkencave të edukimit tha se protesta do të vijojë pa ndërprerje.
Në rast se sindikata vendos të futet në grevë urie atëherë pritet që një pjesë e pedagogëve në universitetin e Shkodrës ta mbështesin grevën deri në plotësimin e kërkesave të tyre nga ana e qeverisë.