Kombëtarja e Shqipërisë në boks është grumbulluar në Shkodër, teksa ka nisur në këtë mënyrë punën për evenimentet e rëndësishme ndërkombëtare, ku do të marrë pjesë gjatë këtij viti. Në fakt, sipas zv/trajnerit të Kombëtares tonë, Lazarin Vila, objektivi kryesor për momentin i boksierëve tanë është që të përgatiten sa më mirë për në fund të muajit shkurt, atëherë kur do të zhvillohen edhe kualifikueset e Olimpiadës. Ai thotë se kanë marrë mbështetje edhe nga ana e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, për t’iu mundësuar një stërvitje të përbashkët me Kombëtaren e Italisë në vendin fqinj.
Vila thotë se nëse në kualifikueset e Olimpiadës, Kombëtarja do të mund të sigurojë një biletë për në evenimentin më të rëndësishëm të sportit botëror, do të ishte një arritje për boksin shqiptar.
Trajnerët Zef Gjoni, Lazarin Vila dhe Jetmir Kuçi do të kenë në dispozicion boksierët më të mirë të vendit, duke filluar nga emra si Alban Beqiri, Ani Haxhillari, Arjon Kajoshi, Geljan Rajku dhe të tjerë.