Shqipëria do të marrë pjesë në Turqi në një turne të rëndësishëm në boks që është kualifikues për lojërat olimpike të Brazilit.
Përpara nisjes në këtë turne disa ditor, trajneri i kombëtares Zef Gjoni tregon se situata është skandaloze sepse boksierët e kombëtares nuk janë grumbulluar dhe se për këtë turne të rëndësishëm nuk ka asnjë mbështetje as nga komiteti olimpik shqiptar dhe as nga federata e boksit. Duke parë këto vështirësi kombëtarja shqiptare nuk ka objektiva për kualifikim të boksierëve në olimpiadën e Brazilit. Në palestrën e vjetër të Vllanzisë aktualisht stërviten vetëm dy shkodranët Syrjan Marinaj dhe Arjon Kajoshi ndërsa dy të tjerët Alban Beqiri dhe Krenar Zeneli do të vijnë nga qytetet e tyre, gjë e cila nuk ndodh me asnjë kombëtare tjetër të boksit.