Shkodra sërish do të jetë mikpritëse e një tjetër aktiviteti sportive siç është edhe zhvillimi i finales së Kupës së Shqipërisë. Edhe pse ishte menduar që kjo finale do të zhvillohej në Tiranë por duket se drejtuesit e Federatës kanë patur probleme me pallatin e sportit “Asllan Rusi” apo sallën sportive “Fahrije Hoti” e përveç kësaj askush nuk e ka marrë përsipër një gjë të tillë.
Më tej është mësuar se Federata ka komunikuar edhe me rrethet e tjera si Durrësi, Fieri apo dhe Vlora por askush nuk e ka marrë përsipër. Ndërkohë zgjidhja është gjetur tek Shkodra ku Bashkia Shkodër dhe Sportklub Vllaznia janë shprehur të gatshëm për të vënë në dispozicion pallatin e sportit “Qazim Dervishi” edhe këtë herë dhe për këtë arsye, aty do të zhvillohen finalet e Kupës së Shqipërisë në boks për të rritur.
Për sa i përket finales ajo do të zhvillohet vetëm një ditë me ndeshje sepse kështu është planifikuar nga Federata ku në ring do të ndeshen me njëri-tjetrin boksierët finalistë të kampionatit. Pjesëmarrëse natyrisht është edhe Vllaznia që padyshim që do të kërkojë të fitojë edhe këtë trofe duke marrë parasyshë edhe paraqitjen dinjitoze të tyre .