SHQIPTARI NË FACEBOOK, FATI NUK ISHTE NË ANËN TIME. Boksieri nga Gostivari, Nuri Seferi nuk ka arritur të mposhtë boksierin polak, Krzysztof Glowacki, ndaj të cilit ka humbur pas 12 raundesh.
Krzysztof Glowacki ka arritur të triumfoj ndaj Nuri Seferit, në kategorinë Cruiser në versionin WBO. Në duelin e zhvilluar në Torun të Polonisë, boksieri polak fitoi me vendim unanim të gjyqtarëve pas 12 raundeve pasi grumbulloi më shumë pikë.Kjo humbje, e ka kthyer prapa ‘Tysonin Shqiptar’ në luftë për titullin e kampionit në versionin WBO. Pas humbjes boksieri shqiptar ka reaguar nëpërmjet rrjetit social Facebook, duke u shprehur se fati nuk ishte në anën e tij, ndërsa i uron suksese kundërshtarit. ‘Të dashur miq. Fati sonte nuk ishte në anën time. I uroj fitore kundërshtarit tim. Dua nga zemra tu falënderoj të gjithë juve që më mbështetni gjithmonë në humbje apo fitore, sepse dhe humbja është pjesë e sportit. Shpresoj që do të rikthehem më i fuqishëm në ndeshjen e radhës’.- ka shkruar Seferi në faqen e tij në Facebook. Për Nuri Seferin kjo është disfata e parë që nga viti 2008, kur u thye nge Herbi Hajd, dhe tani ka një bilanc me 36 fitore, 20 nga të cilat me “Knock Out”, dhe 7 humbje.