ULDEDAJ BOKSIERI I MEDALJEVE NË EUROPIANIN PËR TË RINJ. Shqipëria ka arritur të fitojë medaljen e bronxit në kampionatin europian të boksit për të rinj që po zhvillohet në Zagreb të Kroacisë. Këtë medalje shqipëria e ka arritur falë boksierit 17 vjeçar Jurgen Uldedaj.
Kështu Uldedaj e ka mbyllur aventurën e tij në Kampionatin Europian të 18 vjeçarëve me medalje bronzi. Ndonëse dëshira e tij ishte e madhe për të siguruar të paktën finalen, nuk ka ndodhur kështu. Ndoshta edhe për shkak të vlerësimit të gjyqtarëve. Në ndeshjen gjysmëfinale të zhvilluar pasditen e së premtes, ai ka patur përballë boksierin norvegjez Tregren Vegar, nënkampion olimpik me këtë moshë. Megjithatë lezhjani i talentuar ka arritur të boksojë si i barabartë ndonëse në këtë ndeshje ka bërë një sakrificë të jashtëzakonshme pasi ka boksuar me gishtin e madh të dorës së majtë të plasur!!! Pavarësisht kësaj, në ring ka treguar një nivel të lartë megjithëse në fund, gjyqtarët kanë dhënë ndoshta një vendim arbitrar duke ia humbur ndeshjen me rezultatin 3-0. Interesant është fakti se vlerësimet kanë qenë shumë të ngushta, 29-28, 29-28, 29-28. Por duhet thënë edhe tjetra, se nga pesë gjyqtarët e tavolinës në këtë ndeshje, tre ishin nga vendet e ish- Bashkimit Sovjetik që nuk kanë ndonjë dashamirësi të madhe për shqiptarët. Ashtu siç ka ndodhur me gjyqtarin e ringut, serbin që e drejtoi në ndeshjen tjetër me polakun dhe ndoshta ai është vënë në vështirësi për të ngritur lart dorën e shqiptarit Uldedaj si fitues. Medalja e brozntë për 17 vjeçarin e talentuar, është një sukses shumë I madh jo vetëm për të por mbi të gjitha për boksin shqiptar i cili tashmë rregullisht po futet në zonën e medaljeve. Dhe në tre medaljet europiane që janë fituar dy vitet e fundit, dy prej tyre i ka marrë pikërisht Jurgen Uldedaj. Ku duhet thënë se ekipi përfaqësues drejtohet nga dyshja e trajnerëve shkodranëve Zef Gjoni e Jozef Sermi.