Vllaznia fitoi titullin e 25-të kampion në sportin e boksit duke qenë kështu skuadra absolute në vend. Kuqeblutë arritën që të fitojnë 7-të ndeshjet finale dhe të shpallen kampion përballë rivalëve të Tiranës. Bardheblutë edhe pse me 8-të finalistë nuk arritën të triumfojnë përballë një Vllaznie shumë të fortë. Trajneri i kuqebluve Zef Gjoni tregon emocionet e këtij titullit të veçantë.
Tekniku Gjoni thotë se kur nisi punën si trajner nuk e kishte menduar kurrë se do arrinte 25 tituj kampion ndërsa ka marrë një premtim nga kompozitori Zef Çoba për t’i kushtuar një këngë këtij suksesi.
Pagesat në sportin e boksit janë të vogla shprehet trajneri Gjoni ndërsa thotë se shumë sporte të tjeranë Shkodër janë drejt falimentimit total sepse nuk kanë të ardhura.
Pas këtij suksesi të Vllaznisë, kombëtarja e Shqipërisë në boks nuk do marrë pjesë në kampionatin ballkanik për shkak se mungojnë paratë nga ministria e sporteve.
Kampionët e Vllaznisë në këtë titull të 25-të janë Rifat Bajrami, Emanuel Koço, Ani Haxhillari, Arjon Kajoshi, Senad Drini, Geljan Rajku dhe Nelson Hysa. Disa prej boksierëve të Vllaznisë do të vijojnë rrugëtimin e tyre edhe në boksin profesionist për të arritur të tjera suksese.