U vlerësua si ndeshja e vitit në boks, por ajo u ngrit në nivelet më të larta të këtij sporti burrëror ku britaniku 28-vjeçar, Anthony Joshua, hodhi në tapet “gjyshin” ukrainas Wladimir Klitschko.

Një ndeshje e jashtëzakonshme, ku në tapet fillimisht përfundoi Klitschko që në raundin e tretë, por kurrësesi ai nuk mund ta pranonte këtë gjunjëzim që në fillim dhe arriti të ngrihet e të rikthehet fuqishëm. Më pas, ishte radha e Anthony Joshua të provonte për herë të parë rënien në tapet, por edhe ai tregoi se është një boksier me një ta ardhme të madhe dhe gjeti forca e u rikthye.

Wladimir Klitschko ishte ai që dominoi ndeshjen deri në raundin e 11, por e gjitha rezultoi një strategji pasi Joshua rikuperoi energjitë dhe u rikthye fuqishëm në raundin e parafundit. 28-vjeçari arriti ta hidhte dy herë në tapet ukrainasin, ndërsa më pas ishte arbitri ai që e ndali në furinë e grushteve të pambarimta drejt fytyrës së Klitschkos, duke e mbyllur ndeshjen me nokaut.

Anthony Joshua i bëri të tijët 3 gjerdanë nga kjo fitore, ndërsa rujti vazhdimësine e jashtëzakonshme në karrierën e tij, tashmë me 19 fitore me nokaut në po kaq duele.

Artikulli paraprakMOTI PËR SOT DO TË KARAKTERIZOHET NGA ALTERNIME KTHJELLIMESH DHE VRANËSIRASH TË DENDURA
Artikulli tjetërLIROHEN TË ARRESTUARIT PËR DHUNËN NË KUVEND