Këto janë pamjet e para gjatë djegies së një banese mëngjesin e së martës në qytetin e Shkodrës.
Një apartament në katin e katërt të një pallati është shkrumbuar në vendin e quajtur ish-kryqëzimi i degës, ndërsa shkak mendohet të jetë bërë shpërthimi i një bombole gazi në ambientet e brendshme. Ngjarja ndodhi rreth orës 9:10 minuta, ku fillimisht flakët kanë rënë në njërën prej dhomave të banesës. Më pas, zjarri ka përfshirë të gjithë hapësirën si dhe ka rrezikuar banesat e tjera ngjitur. Situata e krijuar ka sjellë panik edhe për dhjetëra banorë të tjerë, pasi rrezikoheshin nga flakët. Zjarrfikësit kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa janë dashur rreth 30 minuta për të bërë të mundur shuarjen totale të zjarrit. Në momentin e ngjarjes, brenda në banesë kanë qenë 2 të moshuar, të cilët u dërguan me shpejtësi në Spitalin Rajonal të Shkodrës. Momentalisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Dëmet e shkaktuara nga flakët janë të konsiderueshme. Dhoma ku ishte pozicionuar bombula e gazit është shkrumbuar totalisht, ndërsa të gjitha ambientet e tjera të banesës janë djegur pjesërisht. Ky është rasti i katërt i rënies së zjarrit gjatë 20 ditëve të fundit në qytetin e Shkodrës, shkak i të cilave ka qenë shkëndija elektrike ose shpërthimi i gazit në banesë.