Bora shkakton deme ,78 raste tek Trauma,40 aksidente me mjete

 

Bardhësia nga bora në kryeqytet shumë shpejt solli dhe aksidentet e para. Kryeqytetasit duke mos u mësuar me një mot të tillë kanë pësuar disa incidente, si dëmtime fizike nga rrëshqitjet në rrugë, por edhe aksidente të shumta në qarkullimin e përditshëm me automjete. Bora ka shtuar në mënyrë të pazakontë për kryeqytetin rastet e praqitura me frakturë në Spitalin Universitar të Traumave. Gjatë paradites së sotme janë paraqitur 78 raste me fraktura të ndryshme. Nga këta vetëm 2 janë fëmijë dhe pjesa tjetër janë të rritur mbi 40 vjeç. Agron Dogjani, profesor i asoociuar i Kirurgjisë në Spitalin e Traumave ka sqaruar edhe situatën me të cilën është prezantuar kryeqyteti. Nga statistikat e rasteve të paraqitura në urgjencën e Spitalit të Traumave rreth 90 përqind e tyre janë nga kryeqyteti dhe vetëm 10 përqind janë nga rrethet. Edhe pse banorët e kryeqytetit u prezantuan me një situatë të re gjatë mbrëmjes së djeshme dhe ditës së sotme, sërish duhet të përshtaten duke bërë më tepër kujdes ndaj ngricave. Në Tiranë ka rënë rreth 10 cm borë mbrëmjen e djeshme, duke sjellë probleme në qarkullimin e makinave. Brenda pak orëve u shënuan mbi 40 aksidente në Tiranë. Shoferët kanë qenë të papërgatitur dhe nuk kanë pasur zinxhirë me vete, çka ka bërë që policia të bllokojë qarkullimin për makinat e papajisura me zinxhirë për gomat. Bashkia ka hedhur kripë në rrugët e Tiranës, në mënyrë që të mos krijohen ngrica. Një prej autobusëve të Unazës është aksidentuar në zonën e Medresesë, me një autoveturë. Video tregon momentin kur Autobusi i Unazës ka rrëshqitur në borë. Ndërkohë, Harta Dixhitale e Aksidenteve Rrugore, ka publikuar një video ku një makinë policie është aksidentuar në zonën e Komunës së Parisit, fatmirësisht pa pasoja në njerëz. Gjithashtu raportohet se aksidente ka patur edhe në autostradën Tiranë- Durrës.

Artikulli paraprakRAPORTI PARAPRAK, GJOSHA: VETËM PAS ZGJEDHJEVE, GATI NEGOCIATORËT
Artikulli tjetërKUSHTET E “TË VEGJËLVE”: JA ÇFARË DUAN PËR VOTIMET E 2017-S