Bordi i Vllaznisë është kthyer inekzistent. Prej 4 muajsh 5 anëtarët e këtij bordi nuk kanë zhvilluar asnjë mbledhje duke e lënë në mëshirë të fatit skuadrën e Vllaznisë. Gjatë gjithë kësaj periudhe Vllaznia është shoqëruar me shumë probleme që ose nuk kanë gjetur zgjidhje apo janë zgjidhur pjesërisht.
Që në kohën e riorganizimit të ekipit kuqeblu për sezonin e ri që sapo ka nisur, fazën përgatitore e po ashtu ç’është më e rëndësishmja edhe me merkaton aspak cilësore e deri në zhvillimin e ndeshjes së parë me Teutën, Vllaznia hasi në vështirësi të cilat janë përkthyer me rezultate dhe lojë të dobët qoftë në ndeshjet miqësore e po ashtu edhe në sfidën e parë me skuadrën bregdetare. Të gjitha këto faza patjetër që ndikohen edhe nga mosfunksionimi i bordit të Vllaznisë. Natyrisht që fushata elektorale e më pas zgjedhjet lokale të 21 qershorit kanë patur një ndikim të madh në mos zhvillimin e mbledhjeve të zakonshme që bënte më përpara bordi i Vllaznisë. Pjesa më e madhe e anëtarëve të bordit nuk janë më as pjesë e këshillit bashkiak të Shkodrës. Nga 5 anëtare 3 prej tyre nuk bëjnë pjesë në këshillin e ri. Kështu kryetari i bordit Xhevdet Amuli sëbashku me Avenir Haxhinë dhe Edip Shirokën nuk janë më anëtar të këshillit bashkiak. Nga 5-shja e bordit kanë mbetur vetëm Luan Heta dhe Xhemal Bushati. Përsa kohë këshilli aktual i bashkisë sipas ligjit për shoqëritë aksionere, nëse nuk përzgjedh bordin e ri atëherë vazhdon të jetë i ligjshëm bordi i vjetër. Pra e thënë ndryshe ligjërisht asgjë nuk e pengon këtë bord të mblidhet por mbase neglizhenca vjen se 3 prej tyre s’janë më pjesë e këshillit bashkiak. Moszhvillimi i mbledhjeve është edhe një premtim i pambajtur i secilit prej 5 anëtarëve të cilët jo vetëm që nuk janë mbledhur por as nuk kanë reaguar prej 4 muajsh, çka tregon se Vllaznia nuk është prioritet në listën e tyre, gjë e cila ka sjellë edhe gjendjen jo të mirë tek ekipi kuqeblu.