Edhe pse në mes të muajit prill dhe temperaturat me ardhjen e pranverës sa vijnë e rriten por të njëjtën gjë nuk mund të themi edhe për në zonat malore. Këtë të premte në aksin Qafë Thore – Theth janë shënuar reshje dëbore. Me anë të një njoftimi Autoriteti Rrugor Shqiptar tregon se pavarësisht reshjeve të borës po punohet në pastrimin e këtij aksi rrugor.
Ndër të tjera ARRSH bën me dije se në zonat malore të vendit janë rikthyer temperaturat e ulëta dhe reshjet e dëborës. Borëpastrueset si edhe hedhja e kripës në aksin Qafë Thore-Theth po kryhet në mënyrë që rruga të mos jetë e bllokuar dhe e aksesueshme duke mbajtur qarkullimin në normalitet.
Nga ana tjetër ARRSH i bën apel drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë drejtimit të mjetit, në kohë me reshje dhe të pajisen me goma dimërore kur udhëtojnë për në zonat malore.