Për herë të parë në një rrëfim ekskluziv vjen ish-kryetari i bashkisë Shkodër Bahri Boriçi i cili drejtoi bashkinë në vitet më të vështira 1996-2000.
Ish-kryebashkiaku Boriçi është një rast i veçantë në Shqipëri sepse u propozua nga grupimi “E djathta e Bashkueme Shkodrane” i përbërë nga Balli Kombëtar dhe Lëvizja e Legalitetit duke mposhtur kështu partinë demokratike dhe atë socialiste në zgjedhjet e 1996. Boriçi e gjeti bashkinë Shkodër në një gjendje të mjerueshme. Në marsin e vitit 1997 Shkodra u bë qyteti i fundit ku u hapën depot e armëve dhe populli u armatos. Ish-kryebashkiaku me një pistoletë që mbante ka menduar të vrasë një kriminel të kohës që i shkonte në zyrë herë pas here. Ish-kryebashkiaku shprehet se Shkodra pas 20 viteve ka ndryshuar shumë por sërish nuk ka përmbushur të gjitha pritshmëritë e tij. Pasi kreu mandatin e tij në periudhën më të vështirë të Shkodrës që pas ardhjes së demokracisë, Bahri Boriçi krijoi një jetë të re në Amerikë pranë familjes së tij ku vijon edhe aktualisht duke qenë i shkëputur totalisht nga jeta politike.