Ditën e premte, kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, përmes një postimi në Twitter ka shkruar se 1100 ushtarë ukrainas kanë marrë pjesë deri më tani në programin e trajnimit të organizuar nga BE.
Gjatë një vizite në një kamp ku anëtarët e forcave të armatosura ukrainase stërviten në Brzeg, Poloni, Borrel tha se deri në 15 mijë ushtarë pritet të trajnohen në 20 vende anëtare, raportojnë mediat e huaja.
Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian i dhanë miratimin misionit të trajnimit më 14 nëntor dhe zyrtarisht ai filloi të nesërmen. Disa vende anëtare të BE-së, sipas marrëveshjeve dypalëshe, tashmë po trajnonin personelin ushtarak ukrainas.
Borrell tha se kostoja do të arrinte deri në 100 milionë euro, e cila do të mbulohej nga BE. Programi parashikon shpenzimin e 15 milionë eurove për municione dhe mbulimin e shpenzimeve të secilit vend pjesëmarrës.
Gjithashtu, forcat e armatosura të Gjermanisë, Bundeswehr, do të marrin pjesë duke organizuar trajnimin e ushtarëve ukrainas në taktikat luftarake si dhe shkollat e mesme. Në total, deri në 5 mijë ushtarë ukrainas pritet të trajnohen në territorin gjerman.