Situata në Kosovë është e rrezikshme dhe zgjidhja duhet gjetur sa më parë. Kjo ka qenë deklarata e Joseph Borrell, kryediplomati i Bashkimit Evropian, i cili në një konferencë për media tha se duhet të gjendet një zgjidhje para 21 nëntorit, pasi situata është e rrezikshme.
“Do të nisim takime me kryenegociatorët. Pala kosovare po vjen sonte, jam i gatshëm të bisedojë me liderët, nëse negociatorët arrijnë te një zgjidhje praktike te çështja e targave para 21 nëntorit, që është afati i fundit. Nuk mund të arrijmë këtë datë, pasi do të jemi në situatë të rrezikshme. Mund të them se po përballemi me krizën më serioze dhe më të rrezikshme që nga viti 2013. Të dyja palët duhet të gjejnë rrugë për t’i ndalur këto tensione” ka thënë Borell. Sipas shefit të diplomacisë se Bashkimit Evropian duhet të ulen tensionet që po arrijnë në nivele të rrezikshme.
“Mund të themi se jemi duke u përballur me krizën më serioze e të rrezikshme që nga viti 2013, pra në dhjetë vjetët e fundit. Të dyja palët duhet të tregojnë urgjentisht gatishmëri për të ecur para e për të ulur tensionet. Nuk është e pranueshme nga asnjëra palë që të injorojë apo shkellë marrëveshjet e arritura në dialog”, tha Borrell. Ai ka folur sërish për tërheqjen e serbëve nga institucionet, që sipas tij ka shkaktuar probleme në pjesën veriore.
“E dini se tërheqja e serbëve në veri nga Policia, gjyqësori, ka krijuar një vakum. Në këtë vakum më e keqja mund të ndodh. Mesazhi nga Këshilli është i qartë, dyja palët duhet të tregojnë fleksibilitet, na duhet progres i qartë”, tha ai. Ndërkohë që duke folur për projektin franko gjerman Borrel falënderoi dy vendet për përpjekjet.
“Kemi prezantuar një propozim. Falënderojmë Gjermaninë e Francën që kanë përkrahur këtë propozim. Serbët e Kosovës duhet të kthehen në institucione të Kosovës, autoritetet e Kosovës të tregojnë fleksibilitet për targat, e të punojnë në implementimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe pa vonesa”, deklaroi më tutje Joseph Borrell. Mëngjesin e sotëm Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, deklaroi se kanë bërë një propozim për të zgjidhur situatën në veri, të krijuar pas dorëheqjes së zyrtarëve serbë nga institucionet në veri të Kosovës. Para takimit të Këshillit të Ministrave të BE-së, Borrel u shpreh se propozimi i Bashkimit Evropian duhet diskutuar si një rrugëdalje e mirë nga kjo situatë. Shefi i diplomacisë së BE-së u shpreh se jemi të pakënaqur pasi jemi në prag të një tjetër krize në arenën ndërkombëtare ndërsa shtoi se kanë paraqitur një propozim.
“Kalim nga pikëpamjet e krizës dhe të kërkojmë një qasje drejt zgjidhjes. Ne kemi paraqitur një propozim, propozim që duhet diskutuar si një rrugëdalje e mirë nga kjo situatë. Më është dashur t’iu bëj thirrje të dyja palëve që të përmbushin zotimet e tyre dhe të respektojnë angazhimet për zbatimin e marrëveshjeve së kaluara për të cilën janë rënë dakord shumë vite më parë dhe unë jam duke kërkuar për një zgjidhje”, tha ai. Kujtojmë se Kryeministri Albin Kurti ka përsëritur se nuk do të pranojë asociacion një etnik në Kosovë, ndërsa tha se zhvillimet e fundit nuk duhet të largojnë vëmendjen nga marrëveshja finale me njohje reciproke. Ai nuk ka dhënë shenja se mund të tërhiqet edhe nga vendimi për targat, shtyrja e zbatimit të të cilit i është kërkuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Vendimi i fundit i qeverisë së Kosovës për targat kanë qenë kryefjala njëherësh edhe “preteksti” i revoltës serbe në kufi. Edhe pse një kërkesë në dukje miniminaliste, Serbia e kundërshton kategorikisht duke reaguar përmes revoltës me protesta, dorëheqjeve të Listës Serbe dhe kundërshtive me dhunë të vendimeve të Kosovës. Ka qenë pikërisht ky propozim, arsyeja reale e revoltës serbe, e cila sipas kryeministrit të Kosovës Kurti, tenton që përmes grupeve kriminale të kundërshtojë me forcë çdo marrëveshje, apo plan për të mundësuar një hap para të Kosovës në organizmat ndërkombëtar. Kryeministri Kurti në deklaratën e tij të fundit theksoi se nuk ka e as nuk do të ketë tërheqje të vendimit të targave ndërsa theksoi se ka një qasje pozitive ndaj propozimit franko-gjerman.