Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, tha të premten se mezi pret të punojë me Qeverinë e re të Serbisë, por shtoi se veprimi në përputhje me vlerat dhe politikat e bllokut janë thelbësore për rrugën drejt anëtarësimit në bllok.
“Urime kryeministrit të ri të Serbisë, Millosh Vuçeviq. Mezi pres të punoj me ju, ministrin e Jashtëm Marko Gjuriq dhe Qeverinë serbe, për ta çuar Serbinë përpara në rrugën e saj drejt BE-së”, shkroi Borrell në rrjetin social X të premten.
Më 2 maj, deputetët e Kuvendit të Serbisë zgjodhën Qeverinë e re, të kryesuar nga Millosh Vuçeviq, i cili paralajmëroi ditë më parë se Serbia nuk do t’i ndryshojë qëndrimet e mëparshme në lidhje me Rusinë dhe Kosovën. Borrell theksoi se “rreshtimi përkrah dhe veprimi në përputhje me vlerat e BE-së dhe politikat e jashtme dhe të sigurisë, janë shenja thelbësore të orientimit strategjik”. BE-ja edhe zyrtarisht e ka kushtëzuar integrimin e Serbisë me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.