Komisioni Evropian ka mundësi që të rekomandojë me kusht statusin e kandidatit për Bosnje-Hercegovinën, kanë treguar disa burime në Bruksel për Radion Evropa e Lirë. Komisionari i BE-së për Zgjerim, Oliver Varhelyi, do të prezantojë më 12 tetor paketën e zgjerimit, bashkë me raportet veç e veç për secilin shtet të Ballkanit Perëndimor. Burimet brenda BE-së kanë konfirmuar se Komisioni Evropian do të dalë me rekomandimin që Bosnje-Hercegovinës t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, mirëpo me disa kushte.

Këto kushte besohet se datojnë nga viti 2019, kur Komisioni Evropian ka prezantuar qëndrimet e veta lidhur me gatishmërinë e Bosnjës për të fituar këtë status. Në raportin e Komisionit Evropian për këtë vit – sipas dokumentit që ka parë Radio Evropa e Lirë – Bosnja nuk ka shënuar përparim në fushat kyçe. Vlerësime të ngjashme ndër vite janë konsideruar arsye pse komisionarët kanë qenë kundër dhënies së statusit të kandidatit për Bosnjën. Paketa e zgjerimit duhet të miratohet nga Komisioni Evropian më 12 tetor, duke përfshirë presidentin dhe nën-presidentët e këtij institucioni. Viteve të fundit, në BE nuk është diskutuar shumë që Bosnja të fitojë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE. Mirëpo kjo çështje është aktualizuar pasi Komisioni Evropian ka rekomanduar për Ukrainën statusin e vendit kandidat, duke u bazuar në “mirëkuptim” që ky shtet më pas të plotësojë kushtet e duhura.

Pas rekomandimit të Komisionit Evropian, statusi kandidat i një shteti shqyrtohet dhe miratohet nga shtetet anëtare të BE-së, në nivel të qeverive. Në rast se Bosnja e merr statusin e kandidatit, Kosova do të mbetet i vetmi shtet i rajonit të Ballkanit Perëndimor që nuk ka kërkuar formalisht anëtarësim në BE, ndonëse blloku evropian përsërit se “Kosova ka perspektivë evropiane”.

Artikulli paraprakZELENSKYY BËN THIRRJE PËR NJË MISION VËZHGUES NDËRKOMBËTAR NË KUFIRIN UKRAINË-BJELLORUSI
Artikulli tjetërNATO VË NË LEVIZJE ARMËT BËRTHAMORE TEKSA PUTINI KËRCËNON ME SULM