Botërori “Russia 2018” ka mbaruar fazën në grupe dhe tashmë emocionet sa vijnë e shtohen për ndeshjet me eliminim direkt, ku gabimet të kushtojnë shumë. Franca dhe Argjentina do të përballen në 1/8-at e Kupës së Botës në “Kazan Arena”, sot në orën 16:00.
Pasi fituan dy ndeshjet e para të grupit me një gol diferencë, Franca e ka mbyllur ndeshjen e fundit, të luajtur kundër Danimarkës, me një barazim 0-0 pasi kishte siguruar kualifikimin.
Ai barazim ka qenë ndeshja e shtatë e “Les Blues” pa pësuar humbje (5 fitore, 2 barazime). Në fakt, ecuria e skuadrës së Deschamps ka qenë shumë e mirë, me vetëm 1 humbje të pësuar në 15 ndeshjet e fundit.
Ata kanë pësuar 12 gola në ato takime dhe asnjë në shtatë prej tyre. Argjentina, nga ana tjetër, nuk e ka patur të lehtë kalimin e grupit. Messi-t me shokë i është dashur një gol në minutën e 86-të të ndeshjes së fundit të Grupit D, të luajtur kundër Nigerisë, për të siguruar një vend në 1/8-at.
Problemet e shumta të bardhekaltërve kanë qenë një tregues i qartë i formës aspak të mirë të treguar në shtatë ndeshjet e fundit (3 fitore, 1 barazim, 3 humbje), në të cilat kanë pësuar 15 gola.
Pavarësisht historisë së pasur të këtyre dy kombëtareve, ato janë përballur në Kupën e Botës vetëm dy herë, me Argjentinën që i ka fituar të dy takimet (1930, 1978).
Në total, këto dy përfaqësuese janë ndeshur 10 herë, me argjentinasit që kanë regjistruar gjashtë fitore, ndërsa francezët vetëm 1. Tre takimet e tjerë janë mbyllur në barazim 0-0.
Lionel Messi dhe Antoine Griezmann janë dy lojtarët që mund të vendosin këtë sfidë. I pari i ka dhënë fund ecurisë prej 662 minutash pa gol në Kupën e Botës në ndeshjen kundër Nigerisë dhe do të kërkojë të vazhdojë në këtë rrugë pasditen e së shtunës.
I dyti ka shënuar vetëm një gol në këtë Botëror, shumë pak për një sulmues të kalibrit të tij. Të dy ekipet nuk kanë humbur asnjë nga pjesët e para të ndeshjeve që kanë luajtur deri tani në këtë Kupë të Botës. Franca nuk ka humbur kurrë ndeshjen e katërt të Kupës së Botës (gjashtë ndeshje).
Në pesë nga gjashtë ndeshjet e fundit të Francës në Kupën e Botës, vetëm një skuadër ka arritur të shënojë. Pesë fitoret e fundit të Argjentinës (në 90 minuta) në Kupën e Botës kanë qenë me një gol diferencë.
Në vetëm dy nga dhjetë ndeshjet e luajtura mes këtyre dy ekipeve, të dy skuadra kanë shënuar gol.
Sfida e dytë
Emocionet e Botërorit do të vazhdojnë mbrëmjen e sotme me një ndeshje që premton të jetë e paparashikueshme nga minuta e parë tek e fundit. Dy herë fituesit e Kupës së Botës, Uruguai, do të përballet me kampionët në fuqi të Evropës, Portugalinë.
Fituesi i kësaj sfide do të ndeshet me fituesin e Francë-Argjentinë në çerekfinale. Ky është Botërori i tretë radhazi që Uruguai ka arritur të kualifikohet në fazën me eliminim direkt, ndërsa Portugalia ka përmirësuar ecurinë e 2014-ës, ku është ndalur në fazën me grupe.
Edhe pse prania e asnjërës prej këtyre dy skuadrave në këtë fazë të kompeticionit nuk është një surprizë, të dyja kanë patur vështirësi ndaj kundërshtarëve inferiorë në fazën me grupe.
Uruguai, gjithsesi, do të paraqitet në këtë fazë si e vetmja skuadër që nuk ka pësuar akoma asnjë gol, teksa ndeshjen e fundit të grupit, kundër Rusisë, e ka fituar 3-0.
Ndërkohë, ndeshja e fundit e Portugalisë ka ngritur disa dyshime në lidhje me cilësinë e skuadrës që ka rrezikuar të eliminohej në grupe nga Irani.
Pas fitores së Kupës së Botës në 1950-ën, vendi i katërt i arritur gjashtë dekada më vonë mbetet ecuria më e mirë e kombëtares amerikanojugore. Cristiano Ronaldo, Luis Suarez dhe Edinson Cavani do të jenë tre yjet e kësaj sfide
I pari gaboi një penallti kundër Iran-it, por ka pak mundësi që kjo të ndikojë te morali i portugezit, i cili ka një besim të madh ne vete dhe ky mentalitet ndikon edhe tek ekipi i tij.
Dy sulmuesit e Uruguait do të jenë problematikë për mbrojtjen e portugezëve. Të dy kanë shënuar në ndeshjen e fundit të grupit.
Dështimet më të mëdha
Shumë nga favoritët kanë ecur mirë, disa kanë pasur luhatje, por ka pasur edhe dështime, siç është rasti i Gjermanisë. Po rendisim 5 dështimet më të mëdha të këtij Botërori. Dështimi i parë dhe më i madhi është padyshim Gjermania, që u eliminua pas humbjes 0-2 nga Koreja e Jugut.
Katër vjet pas fitores historike 7-1 ndaj Brazilit, gjermanët kanë shkruar sërish historinë, por kësaj here në aspektin negativ, duke u eliminuar për herë të parë që në fazën në grupe. Dështimi i dytë ishte Lewandowski.
Mediat italiane e kanë përshkruar si një turist në Rusi, duke mos lënë gjurmë. Qendërsulmuesi i Bajernit të Mynihut, shënuesi më i mirë i Bundesligës largohet pa shënuar në 3 ndeshje.
Të paktën Polonia e tij la gjurmë, sepse fitoi 1 ndeshje, teksa kapiteni ishte në hije. Dështimi i tretë është Egjipti.
Edhe pse skuadra e drejtuar nga Hektor Cuper u privua nga dëmtimi i Mohamed Salah, ekipi zhgënjeu shumë, sidomos në ndeshjen e fundit ndaj Arabisë Saudite, ku u mund 2-1.
Egjipti u largua pa asnjë pikë dhe një fitore në një Kupë Bote. Dështimi i katërt është Milinkoviç-Saviç, që vlerësohet 100 milionë euro. Ashtu si Lewandowski, mesfushori serb nuk la gjurmë.
Botërori ishte vitrina më e mirë për të, por Sergej dështoi, edhe për faktin se Serbia u eliminua, duke fituar vetëm 1 ndeshje. Dështimi i pestë janë dyshet mbrojtëse më të forta të botës.
Hummels-Boateng, Ramos-Pique dhe Varane-Umtiti kanë lënë shumë për të dëshiruar. Dyshja e parë ishte katastrofë, me Boateng që mori edhe të kuq.
Ramos dhe Pique nuk kanë shfaqur siguri dhe 2 gola kanë ardhur për faj të tyre. Ndërsa Umtiti dhe Varane kanë shkaktuar penallti absurde.
Gjithsesi, Ramos-Pique dhe Varane-Umtiti kanë mundësi për të treguar ende vlerat e tyre.