Boksieri Adam Maca e ka mbyllur aventurën e tij në kampionatin botëror në Budva të Malit të Zi. Në ndeshjen e tij në peshën 60-kg, kundërshtar ishte nën/kampioni i botës në fuqi, armeni Andranik. Rivaliteti ishte i jashtëzakonshëm, por në fund Maca nuk arriti dot të triumfojë. Në fakt, në raundin e parë, boksieri kuqezi nuk e startoi mirë ndeshjen dhe pësoi një humbje me rezultatin 1-4. Në raundin e dytë ndryshoi gjithçka dhe boksieri Maca vijoi sulmet e tij pa ndërprerje, por çuditërisht edhe ky raund u humb përsëri po me të njëjtin rezultat 1-4. Raundi i tretë ishte vendimtar dhe duhej që të fitohej patjetër në mënyrë që Maca të kishte shpresa për të kthyer rezultatin në favorin e tij.
Trajneri i Macës, Klaudio Çekini, u mundua të instruktonte herë pas here boksierin kuqezi, teksa gjatë raundit të tretë boksieri armen, Andranik u gjend në breshërinë e sulmeve të furishme të Macës dhe si pasojë ra në tokë tre herë, duke u dënuar me dy faulle, gjë e cila favorizoi shumë boksierin Maca. Megjithatë, kur pritej fitorja e boksierit shqiptar, në fund për çudinë e të gjithëve dhe në mënyrë krejtësisht të papritur, gjyqtaria i dha fitoren boksierit armen. Në këtë mënyrë, boksieri kuqezi Adam Maca, që në kampionati shqiptar konkurron me ekipin e “Tërbuni Boks”, nuk arrin të kalojë turin e 1/8, duke u skualifikuar. Gjithsesi, për boksin shqiptar është një arritje e madhe, pasi boksieri shqiptar Adam Maca pozicionohet në pesë më të mirët e botës.