“Bantam” është një nga antologjitë e fundit poetike shqiptare redaktuar nga Elizabeth Wade (Melburn, Australi) dhe botuar nga Austin Macauley Publishing në Londër.

Një antologji që nuk pretendon të jetë një antologji zyrtare që përmbledh poetët më në zë shqiptarë të kohës, pasi ka shumë autorë që nuk janë përfshirë, si Kadareja, Arapi etj.

Kemi të bëjmë me një përzgjedhje jo pretenduese të përkthyeses Miranda Shehu-Xhilaga dhe editores Wade, titulli i së cilës, “Bantam”, përfaqëson simbolikën e qelizës.

Ja çfarë shkruan me një dashuri të veçantë për poetët shqiptarë Elisabeth Wade në pasthënien e librit: “Ata që do të lexojnë këtë vëllim, do të pikasin një mori stilesh krijuese.

Poeti është ai që lind poezinë, përkthyesja është mamia që e pret dhe unë ndoshta ajo që përkujdeset për këtë dhuratë të natyrës. Përkthyesit e këtij libri kanë pasur një detyrë të vështirë, gati të pamundur, të përkthejnë dhuntinë e plotë të poezive, shpesh komplekse dhe shumëplanëshe në një gjuhë të huaj.

Megjithatë, përkthyesit duke qenë njohës të mirë të shqipes, i njohin domethëniet dhe thellësinë kulturore që nevojitet gjatë përkthimit. Jam e dashuruar pas fjalëve dhe poezia kërkon shumë nga këto fjalë.

Fjalët mbartin një barrë të rëndë të dijeve, kuptimeve, të asonancës dhe qëllimit, shpeshherë të padukshme. Poeti shpërthen me fjalët e tij që lidhen me historinë, ndjesitë, mundësitë dhe fshehtësitë, që njëherësh janë të përbashkëta, por dhe thellësisht personale nga njëri te tjetri…”

Kjo antologji përfshin 17 autorë; si Dritëro Agolli, Frederik Rreshpja, Ndoc Gjetja apo Koçi Petriti që kanë shkruar një vepër të rëndësishme poetike për të ardhmen, por dhe epitafe të jashtëzakonshme, si ato të Ndoc Gjetjes. Çdo poet përfaqësohet nga katër poezi.

Disa poetë të përfshirë në këtë antologji janë përshtatur në anglisht nga përkthyes të tjerë, si Ani Gjika, Henri Israeli, Robert Eslie, Sidorela Risto e Uk Buçpapaj.

Në parathënie Miranda Shehu-Xhilaga shkruan ndër të tjera se: “Lexuesi i kësaj antologjie të vogël do të gjejë aty imazhe që na kujtojnë hartën e bukur të Shqipërisë, të banorëve të tyre, të bukurisë dhe të betejave të saj.

Dritëro Agolli është një udhëtar në një vend të shpresës së thyer, ku gjuha e Faslli Halitit mbart të zezën dhe ku pena e tij kërkon përgjigjet e një Zoti hipotetik, retorik e virtual që e ka humbur këtë tokë dhe ku vetë Zoti në kthim është i harruar.

Është vendi i shtrenjtë i Ilirian Zhupës, i cili me gjithë bukurinë e tij, bën të fusë sytë e lodhur në xhepin e vet dhe të marrë udhën drejt një ishulli të vetmuar, ku dritat, ngjyrat dhe zërat luajnë në mënyrë të natyrshme; vendi i Petrit Rukës, ku shkojmë nga lufta në luftë dhe ku gratë janë gjithnjë shtatzëna me lëndën e parë të luftës.

Dhe kështu Shqipëria e sotme te poezia e Luan Ramës është një lumë lotësh dhe një orgji e politikanëve të ndyrë, por megjithatë mbetet një ëndërr e shndritshme, një poezi e pambarimtë dhe një përrallë pasionante që na mban lidhur.

Poetët shqiptarë të shekullit XX që paraqiten në këtë libër kanë përshkuar dy botë: njërën plotësisht të izoluar dhe të ashtuquajturën demokraci, që erdhi më pas. Nuk është e jashtëzakonshme të ndiesh dëshpërimin e poetit, pasi shumë prej tyre shkruajnë epitafe duke pyetur se ç’është një poet në një botë të tillë, duke pranuar të ikin nga kjo botë e të gjallëve.

Pohimi i Ndoc Gjetjes sipas të cilit ai ka mbyllur qepallat dhe ka vendosur të shkojë, në Epitaf për vetveten, si dhe jeta e tij janë prekëse.

Në poezinë e tij për një drejtësi sociale, Ah!, ai uron që gjithë njerëzit të jenë njerëz dhe të gjithë të jenë qenie njerëzore. Xhevahir Spahiu, në të njëjtën mënyrë e quan vendin parajsë e ferrit duke deklaruar se ai ndihet i lirë veç kur është i dehur. Fjalët e Frederik Rreshpes janë pikëlluese.

Por poetët, megjithatë, mbijetojnë edhe pse fluturojnë shumë pranë diellit. Poezia e Visar Zhitit, që është përkthyer nga i ndjeri Robert Elsie, është e jashtëzakonshme dhe ka forcën ta ndryshojë përfytyrimin tonë ndaj botës.

Këta zëra poetikë këndojnë gjithashtu në rrethana të tilla për dashurinë dhe gëzimin, për atë ç’do të thotë të jesh poet, që të kapesh pas jetës, pasi një ditë është shpirti njerëzor që do udhëheqë.

Nga fjalët e ëmbla të Koçi Petritit, te vargjet shumëdimensionale të Petraq Ristos, duke kaluar në krijimet moderne të Visar Zhitit dhe Luan Ramës, ndjekur nga perspektiva e grave poete, poezitë e dashurisë në këtë libër e lënë lexuesin të uritur për më shumë. Arian Leka kompleton këtë qark me prurjet e tij bashkëkohore mbi dashurinë dhe jetën e qytetit të tij bregdetar.

Fill pas ndryshimeve politike, në poezinë shqiptare të viteve ’90, midis shumë poetëve shqiptarë, nga më të rëndësishmit që u shfaqën ishin gra. Poeteshat në këtë antologji të tronditin dhe të ngërthejnë me shkrimin e tyre të shkathët dhe modern.

E njohur si mbretëresha e poezisë, Natasha Lako, një nga të parat poetesha të gjeneratës së saj, tregon se çfarë ndodh kur ndërgjegjja femërore zgjohet…

Luljeta Leshanaku, një imazhiste e njohur botërisht, na ofron peizazhe të një bukurie dhe vrazhdësie të pamatë: një ekzistencë humane gjysmëshekullore në gropëzën e një dore.

Një poete provokuese, Rita Petro, i paraqet lexuesit një botë të sajën, ku shtjellon origjinën e dashurisë dhe të seksit. Mundimtare e pavarur dhe vëzhguese sociale, Mimoza Ahmeti propozon diskutimin e perceptimeve të ndryshme dhe kërkon më shumë refleksion për ndryshimet që do duhej të ndodhin. Poezia shqiptare e viteve ’90 e më pas është thellësisht bashkëkohore.

Artikulli paraprakBIE NGA SHKALLËT E PALLATIT, 53-VJEÇARI HUMB JETËN TRAGJIKISHT
Artikulli tjetërAKSIDENT NË MANËZ , 23-VJEÇARI NDËRRON JETË NË SPITALIN E TRAUMËS