Zëvendës kryeministri Erion Braçe ka prezantuar sot Artan Lamen si drejtor të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, një institucion i sapokrijuar që bashkon Hipotekat dhe ALUIZNI-n. Ai deklaroi gjatë prezantimit se objektivi i qeverisë është zgjidhja e problemeve me pronat dhe certifikimi i tyre.

Braçe tha se është bërë një punë e mirë me legalizimet por edhe një betejë që do vazhdojë.

“Certifikimi i pronave është prioritet i qeverisë. Kemi bërë një punë shumë të mirë me legalizimet. Është një betejë që do vazhdojë për të përfunduar procesin e legalizimi të objekteve të paligjshme kudo që ndodhen, në periferi apo zona të populluara dhe ajo përvojë duhet të shërbejë për të çuar para proceset që kemi nisur.

Dua të falënderoj zotin Lame dhe të gjithë kontributorët e tjerë. Dua të falënderoj edhe të gjithë drejtuesit e deri sotëm të ZRPP që kanë përballuar një fluks të jashtëzakonshëm në punë për certifikimin e pronave të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë. Qoftë ato nga procesi i legalizimeve qofshin toka bujqësore”, deklaroi Braçe.

Ai tha se do ta ndjekë personalisht jo vetëm mbarëvajtjen e këtij institucioni por të gjithë koordinimin me institucionet e tjera.

Ndërsa vetë Lame theksoi se zgjidhja e çështjes së pronësisë mbetet thembra e Akilit. Ai prezantoi tre drejtimet ku do të shtrihet reforma duke kërkuar dhe suportin e qytetarëve.

“Reforma do të jetë në tre drejtime: Reformë thelbësore në hartografi, reformë thelbësore në shërbime dhe sistemet e shërbimit dhe reformë thelbësore në burimet njerëzore, në meritokraci.
I ftoj qytetarët shqiptarë që siç na ndoqën në reformën e legalizimeve të na ndjekin dhe në ngritjen e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës”, tha Lame.

Ligji i ri për Kadastrën hyri në fuqi pak kohë më parë dhe së shpejti ngrihet edhe struktura e re. Agjencia e Kadastrës do të jetë në vartësi të Kryeministrit, dhe Institucioni shihet si themeli i reformës së pronës.

Artikulli paraprakTË DIELËN QENDRAT SHËNDETËSORE HAPUR NË GJITHË VENDIN
Artikulli tjetërNDOTJA NË KUNE VAIN, REAGON INSPEKTORIATI I MJEDISIT