Në këto 30 vite të tranzicionit, investimet e vendit në kapitalin human tregojnë përkeqësim, teksa Shqipëria ka flukset më të mëdha të braktisjes së vendit nga të rinjtë.

Emigracioni, i cili është shndërruar në “profesionin” e së ardhmes për shumicën e të rinjve shqiptare po përkeqëson më tej kapitalin human.

Arsimi, i cili është sektor më i madh ku investohet në kapitalin njerëzor, po përkeqësohet në disa tregues në vend të ecët përpara.

Një studim i fundit i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal vë në dukje se Shqipëria ka përqindjen më të madhe të braktisjes së hershme të arsimit në Rajon.

Të dhënat krahasuese tregojnë se në vitin 2021 gati 17 për qind e popullsisë së moshës 18-24 vjeç nuk ishin as në arsim dhe as në trajnim. Kjo përqindje e lartë e 20 vjeçarëve pa asnjë angazhim në arsim ishte gati tre herë më e lartë se mesatarja europiane. Në Bosnje vetëm 4.7% e të rinjve 18-24 vjeç nuk ishin as në arsim as në trajnim, në Malin e Zi, 6.7% në Maqedoninë e Veriut 4.6% dhe në Serbi 6.2%.

Numri i atyre që largohen herët nga arsimi ka rënë në shumicën ekonomive të Ballkanit Perëndimor në 2021 dhe kryesisht mbetet nën mesataren e BE-së (9.7% në 2021), përveçse në Shqipëri ku fenomeni mbetet i lartë dhe me rritje në krahasim me vitin 2020.

Megjithëse të gjithë vendet e Ballkanit vazhdojnë përpjekjet për të përmirësuar programet e arsimit në nivelin e mesëm të lartë dhe të lartë, pjesëmarrja e të rriturve në arsim dhe trajnim mbetet e ulët në të gjithë rajonin.

Në Serbi, 4.8% e popullsisë se moshës 24-65 vjeç mori pjesë në trajnim në vitin 2021, që është shkalla më e lartë e pjesëmarrjes në rajon, pavarësisht se ende mbetet prapa BE- së (10.8%), ndërsa në vendet e tjera është shumë e ulët.

Mungesa e mundësive për arsimim e të rriturve dhe të mësuarit gjatë gjithë jetës ndikon në punësim dhe për rrjedhojë në mundësi më të mira për punësim në popullatën e rritur.

Mungesa e të mësuarit në vazhdimësi pengon rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe adoptimin e modeleve të reja të zhvillimit, përhapjen e teknologjisë dhe zhvillimin ekonomik duke u kujdesur për mjedisin.

Pjesa e të rinjve as punësim, trajnimi ose arsimi (NEET) u ul pak në vitin 2021 në pothuajse të gjitha ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, por në Kosovë kjo kategori përfshin 40.4% të te rinjve, 26.5% në Mal të Zi, 26.1% në Shqipëri, 25.1% në Bosnje dhe Hercegovinë, 24.2% në Maqedoninë e Veriut dhe 18.8% në Serbi.

Në BE vetëm 13% e të rinjve 15-29 vjeç nuk janë as në punë as në shkollë dhe as në ndonjë trajnim./Monitor

Artikulli paraprakVRANËSIRA DHE KTHJELLIME, SI DO JETË PARASHIKIMI I MOTIT PËR SOT
Artikulli tjetërBENET BECI PUBLIKON MESAZHIN E SPORTISTIT: TË LUTEM BANE SHKODRËN, E KATANDISËN PËR 31 VJET