Pas dy fitoreve rradhazi në kampionat, Vllaznia do të kërkojë të tretën përballë Bylisit. Në konferencën për shtyp, trajneri i kuqebluve, Thomas Brdariç, e pranoi se do të jetë e vështirë për të mbajtur ecurinë e rezultateve pozitive dhe se ndaj Bylisit nuk do të jetë aspak e lehtë. Megjithatë, ai theksoi se futbollistët do të futen në fushë vetëm për tre pikë.

“Është ndjesi e mirë kur ke dy fitore rradhazi. Tani në vazhdim ka për të qenë një punë e vështirë për të mbajtur dy fitoret që patëm dhe për të vazhduar vetëm me fitore. Megjithatë, ne do të vazhdojmë të bëjmë punën tonë, me të njëjtin proçes për të qenë të përgatitur gjithmonë për sfidat që na presin. Në futbollin profesionist nuk ka ndeshje të lehta. Ndoshta 20-vite më parë ka pasur diferenca të tilla si ekip i lehtë apo ekip i vështirë, por në kohët moderne, nuk ekziston më kjo. Ne i dijmë pikat e forta dhe të dobëta të Bylisit, sepse e kemi analizuar. Me zor po pres që të vijë ndeshja dhe futbollistët të futen në fushë dhe të marrin trepikëshin e rradhës. Jam totalisht i fokusuar te ndeshja me Bylisin dhe jam i bindur se futbollistët do të na japin rezultatin që ne kërkojmë. Objektivi ynë është që të marrim tre pikët me Bylisin dhe me zor po pres që të përballemi me një ekip të fortë, siç janë ata këtu në Shkodër.”
Brdariç kishte një koment edhe për largimin e Alivodës.

“Jam i lumtur për Alivodën që nis një kapitull të ri, kurse nga krahu tjetër ne do të na mungojë në ekipin tonë një futbollist i rëndësishëm. Megjithatë, kjo gjë i hap dyert futbollistëve të tjerë në pozicionin e tij, në mënyrë që ne të përmbushim objektivat që ne kemi.”
Sfida Vllaznia-Bylis do të luhet të dielën në orën 17:00 në stadiumin “Loro Boriçi”, për llogari të javës së gjashtë të kampionatit shqiptar të futbollit.

Artikulli paraprakPROCEDOHEN PENALISHT DISA SHTETAS PËR VEPRA TË NDRYSHME PENALE
Artikulli tjetërPUKË, DIGJET PLOTËSISHT NJË BANESË