Bashkimi Europian po përgatit dy plane në lidhje me Brexit, pas vendimit të Parlamentit britanik për të mos hedhur në votim marrëveshjen e arritur mes Unionit dhe Kryeministrit britanik Boris Johnson. Zyrtarët në Bruksel po punojnë për të ratifikuar marrëveshjen e divorcit me Britaninë e Madhe pasi parlamenti britanik nuk arriti të jap dritën jeshile për marrëveshjen.
Presidenti i Këshillit të BE-së, Donald Tusk, pas dy letrave të kryeministrit britanik, i cili në njërën kërkonte zgjatje të afatit, por e pa sigluar, dhe në tjetrën shpresonte që Brukseli të mos e merrte parasysh kërkesën e parë, kjo e dyta e firmosur, ka vendosur të nis konsultimet me përfaqësuesit e 27 vendeve të Unionit.
Deri në fundjavë, nëse marrëveshja për Brezit do të votohet në Dhomën e Komunave, mund të ketë një samit të jashtëzakonshëm të liderëve të BE më 28 tetor, në të kundërtën, BE mund të aprovojë një shtyrje të afatit për arsye teknike deri në muajin shkurt.
Por Johnson dëshiron të dalë nga Bashkimi deri në 31 tetor dhe për këtë po përgatitet për një javë tjetër debati të zjarrtë.
Ministri i Jashtëm, Dominic Raab, tha se ishte i sigurt se marrëveshja do të marrë dritën e gjelbër dhe se për këtë, ‘numrat’ janë. Por Parlamenti njëkohësisht duhet të miratojë legjislacionin që lidhet me zbatimin e marrëveshjes së Brexit, amendament ky i propozuar nga Oliver Letwin, i votuar nga Parlamenti britanik dhe që i hapi rrugën shtyrjes së afatit për Brexit.
Sidoqoftë, kancelari i planifikimit të Brexit dhe numri dy i qeverisë, Michael Gove, ka paralajmëruar se shanset që Britania të largohet nga BE pa një marrëveshje ende ekzistojnë dhe se edhe për këtë qeveria është ë përgatitur.
Ndërkohë, laburistët, shumica e tyre kundër marrëveshjes së Johnson, po përpiqen të ngrejnë një tjetër kurth. Ata do të paraqesin të tjera ndryshime ligjore dhe do të kërkojnëorganizimin e një referendumi të ri.