Pas diskutimesh të gjata në samitin dyditor të Brukselit në lidhje me paketën e reformimit të BE-së dhe qëndrimit të Britanisë së Madhe, është arritur marrëveshja.
Presidenti i Këshillit të Bashkimit Europian, Donald Tusk, njoftoi mbrëmjen e së premtes arritjen e marrëveshjes, sigurisht duke mbajtur kështu Britaninë në bllokun e vendeve europiane. Marrëveshja, siç njoftoi ai ka fituar mbështetjen unanime të të gjithë vendeve anëtare të BE-së. Londra fiton një status special në Union. Kryeministri britanik David Cameron doli para gazetarëve në Bruksel pak pasi u bë publik lajmi duke u shprehur: “Më në fund marrëveshja u arrit. Për një periudhë kohe ne e kemi nxjerrë Britaninë jashtë një Europe që po bëhet gjithnjë e më e ngushtë. Britania nuk do të jetë kurrë pjesë e një Europe të përqëndruar. Falenderoj të gjithë liderët për qetësinë e treguar, vullnetin dhe asistencën e tyre”. Tashmë, kryeministrit Cameron i mbetet të kthehet në Londër nga Brukseli, ku mëngjesin e së shtunës do të zhvillojë mbledhjen urgjente të kabinetit qeveritar për të njoftuar nisjen e fushatës së referendumit të thirrur në vendin e tij, por këtë herë thirrja do te jetë për të votuar në qershor “pro” qëndrimit në Bashkimin Europian. Marrëveshja është për një periudhë 7-vjeçare dhe do të përfshijë ndryshimin e traktateve të BE-së. * Nga zhvillimet e mëhershme Shpresat e kryeministrit britanik, David Cameron, për të siguruar një marrëveshje reformuese brenda kësaj të premteje kanë marrë një “goditje”, për shkak të shtyrjes së diskutimeve gjatë samitit të BE-së. Udhëheqësit europiane mësohet t’u jetë thënë të prenotojnë hotelet, pasi bisedimet për hartimin e një teksti përfundimtar, të planifikuara për në mëngjes, u shtynë fillimisht për në drekë e tashmë për në mbrëmje. Disa vende të BE-së kanë ende paqartësi mbi planet për të frenuar përfitimet e emigrantëve dhe për ndryshimet e rregullatoreve të bllokut europian. Kryeministri britanik kishte planifikuar të rikthehej në Britani, për të nisur fushatën mbi referendumin e qendrimit të vendit në BE këtë të premte. Ai u shfaq optimist i kujdesshëm gjatë paradites së të premtes, duke thënë se “ka pasur disi progres” në maratonën e gjatë të bisedimeve të një nate më parë, që ngecën më 6 e 30 të mëngjesit. Megjithatë, mbeten ende pengesa pas një dite të tërë bisedimesh kokë më kokë, ndërsa kanë lindur spekulime se bisedimet do të vazhdojnë edhe gjatë së shtunës. Synimi parësor i britanikëve ishte të përfundohej arritja e marrëveshjes mëngjesin e së premtes, që tashmë është shtyrë – ende nuk dihet nëse do të arrihet, – për më 20:00 të mbrëmjes. Plani i Cameronit ishte gjithsesi që të kthehej në Londër me marrëveshjen “në xhep”, për të zhvilluar më pas një mbledhje urgjente të kabinetit qeveritar, gjatë së cilës ai do të angazhohej që qeveria të bënte fushatë për qëndrimin e Britanisë në BE-në e reformuar. Kjo gjë do të lejonte nisjen e fushatës për referendumin e shumëdiskutuar, si dhe do t’u lejonte ministrave që kërkojnë largimin e Britanisë nga BE-ja të flisnin hapur. Ky plan është hedhur poshtë, pasi Cameron ka bërë të ditur se nuk do të ketë një mbledhje kabineti këtë të premte, teksa shtoi se “do të mbahet një i tillë vetëm kur marrëveshja të arrihet”. Sipas njoftimit të “Doëning Street”, kryeministri britanik “pritet të ketë një sërë takimesh dypalëshe të tjera, përfshi ato me kryeministrin danez, atë çek dhe atë holandez, përpara mbrëmjes”.