Përfaqësuesit e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian diskutojnë për mundësinë e heqjes së masave ndëshkuese ndaj Kosovës të vendosura një vit më parë për shkak të zhvillimeve në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe. Diskutimi mbështetet në raportin e Shefit të politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josef Borrell lidhur me përmbushjen e kushteve për heqjen e masave dhe burimet në Bruksel thanë se raporti propozon heqjen e tyre. Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi tha sot se qeveria shpreson që asnjë shtet të mos kundërshtojë heqjen e masave.
“Ka pas dy-tre shtete të cilat kanë preferuar heqje graduale të masave në dy shkallë, por jo që ka pas të tillë të cilët kanë qenë kundër heqjes së masave por shumica absolute e vendeve besojnë se vendosja e masave ndaj Kosovës ka qenë e padrejtë, mos vendosja e masave ndaj Serbisë ka qenë padrejtësia shtesë që i është bërë Kosovës”, tha ai.
Tashmë po bëhen një vit që kur qeveria e Kosovës u përball me masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian për shkak të tensioneve në veri, ku dërgimi i kryetarëve shqiptarë të komunave në zyrat e tyre në fund të muajit maj të vitit të kaluar, u kundërshtua ashpër nga grupe qytetarësh serbë të cilët u përplasen me policinë e Kosovës dhe forcat paqeruajtëse të NATO-s, duke plagosur mbi 90 pjesëtarë të KFOR-it. Bashkimi Evropian kishte kërkuar shtensionimin e situatës në veri, largimin e njësive të posaçme të policisë nga ndërtesat komunale dhe organizimin e zgjedhjeve të reja për kryetarë të komunave të banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës. Që nga ajo kohë situata në veri të vendit është përshkuar me tensione dhe autoritetet ndërkombëtare po u bëjnë thirrje palëve që të shmangin veprimet që mund të tendosin edhe më tej situatën dhe të punojnë për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndëmrjet tyre. I dërguari i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak do të takohet sot në Beograd me udhëheqësit serbë një ditë pasi qëndroi në Prishtinë, ku tha se vizita e tij ka të bëjë me mënyrën e ri përqendrimit në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe çfarë hapash konkret do të ndërmarrin palët për të përshpejtuar zbatimin e marrëveshjes.