Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj gjatë vizitës dy ditore në Bruksel, zhvilloi një takim me Komisionerin për Migracionin, Punët e Brendshme dhe Shtetësinë të Bashkimit Evropian, Dimitris Avramopoulos.
Në fillim të takimit Avramopoulos vlerësoi shumë pozitivisht rezultatet mbresëlënëse të arritura gjatë këtij viti nga MB dhe Policia shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar,
menaxhimit të kufijve dhe në çështjet që lidhen me azil kërkimin dhe migracionin e parregullt. Ai theksoi se janë rezultate që kanë mbështetjen e përkrahjen e fortë të vendeve anëtare të BE-së.
Komisioneri rikonfirmoi mbështetjen për aderimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke theksuar se me anë të pozicionit të tij si Komisioner, do të mbështesë deri në fund aspiratat e Shqipërisë drejt familjes evropiane.
Ministri Xhafaj çmoi punën e deritanishme që Komisioneri ka bërë në lidhje me adresimin e sfidave të Ballkanit Perëndimor, por veçanërisht për mbështetjen e pakursyer që ai ka dhënë për vendin tonë.
Nga ana tjetër Xhafaj theksoi nevojën për krijimin e Qendrës Rajonale të Përbashkët për Bashkëpunimin Policor, si një instrument për t’iu bërë ballë sfidave të përbashkëta.
Shqipëria ka patur sukses me masat për uljen e azil kërkimit dhe emëruesi i tyre i përbashkët, është ulja e numrit të azil kërkuesve me rreth 30%, fakt ky që u vlerësua edhe nga Komisioneri.
“Në lidhje me migracionin e parregullt, autoritetet shqiptare kanë një marrëdhënie shumë bashkëpunuese me homologët grekë, si vendi me prurjet më të mëdha të flukseve
migratore gjatë muajve të fundit, por në këtë fushë nevojitet një vëmendje më e madhe e Brukselit për rritjen e kapaciteteve të strukturave tona kufitare”, theksoi Ministri Xhafaj.
Biseda gjithashtu u ndal edhe tek Ministeriali i ardhshëm BE – Ballkani Perëndimor, që do të zhvillohet në 4-5 tetor në Tiranë, për të konkretizuar më tej hapat që duhet të ndërmerren bashkarisht në kuadër të sfidave rajonale.