Çmimet e pasurive të paluajtshme duket se e kanë frenuar rritjen në gjysmën e parë të vitit 2023. Sipas Indeksit Fischer të Bankës së Shqipërisë, çmimi mesatar i banesave të shitura gjatë periudhës është rritur me 11.6% në krahasim me gjashtëmujorin e kaluar dhe mbetet thuajse i njëjtë në krahasim me një vit më parë.

Një ecuri e ngjashme është vërejtur edhe për kryeqytetin. Indeksi i çmimeve për shitjet në Tiranë regjistroi një ngritje prej 13.3% ndaj periudhës paraardhëse duke mbetur edhe ai në nivelin e një viti më parë. Megjithatë, është rritur pesha e transaksioneve ku çmimi i blerjes së pronës për shitjet e kryera ishte i njëjtë me çmimin e kërkuar nga shitësi.

Edhe çmimet e qirasë sipas agjentëve kanë shënuar rritje gjatë periudhës. Kërkesa e përgjithshme për marrje me qira raportohet më e lartë nga kërkesa gjatë gjashtëmujorit të mëparshëm. Informacioni mbi kërkesën dhe çmimet e qirasë vjen kryesisht nga agjentët që kryejnë aktivitet në zonën e kryeqytetit. Vlerësimet e subjekteve për gjendjen e tregut dhe çmimet në tregun e banesave mbeten përgjithësisht pozitive për afatin e shkurtër dhe afatin më të gjatë.

Informacioni mbi ecurinë e çmimeve dhe vlerësimin e situatës nga ana e agjentëve në tregun e pasurive të paluajtshme merret nëpërmjet vrojtimit në terren të një kampioni të përbërë nga 230 subjekte, që kanë si aktivitet kryesor tregtimin e pronave të paluajtshme. Subjektet e zgjedhura janë agjentë të zyrave të tregtimit të pasurive të paluajtshme dhe shoqëri ndërtimi shitjet e të cilave përfaqësojnë rreth 75%-80% të xhiros së të gjithë popullatës.

Vlerësimi i përgjithshëm i agjentëve për situatën e përgjithshme të tregut u raportua si më pozitiv në krahasim me periudhën e kaluar. Në përgjigje të pyetjes “Si e vlerësoni situatën e tregut në krahasim me periudhën (gjashtëmujorin) e mëparshme?”, balanca neto e përgjigjeve ishte pozitive 14%, me përgjigje veçanërisht optimiste për zonën e qyteteve bregdetare. Vlera e balancës për këtë pyetje është dukshëm më pozitive sesa mesatarja afatgjatë.

I njëjti tregues i vlerësuar vetëm për subjektet që kanë raportuar shitje rezultoi ndjeshëm më pozitiv gjatë periudhës, me një balancë neto rreth 23%. Numri i banesave të reja të regjistruara nga agjentët ka qëndruar thuajse i pandryshuar në krahasim me periudhën paraardhëse. Balanca neto e atyre që raportojnë rritje të numrit të banesave të regjistruara dhe atyre që raportojnë rënie të numrit të tyre, ishte rreth -0.6%, ose shumë pranë nivelit neu tral. Numri i pronave të pashitura, si për banesat, ashtu edhe për godinat tregtare, ka vijuar të shënojë rënie për disa gjashtëmujorë radhazi.

Koha mesatare e shitjes së banesave në rang vendi u rrit në 10.6 muaj nga 9.9 muaj gjashtë muaj më parë, duke u rikthyer në vlerën e një viti më parë. Të tria zonat paraqesin mesatare shumë të ngjashme kohëzgjatjeje për shitje, 10.5-10.9 muaj. Në rastin e Tiranës nuk shfaqen ndryshime të mëdha, ndërsa për qytetet bregdetare dhe zonat e tjera kohëzgjatja e shitjes ishte më e lartë sesa në gjashtëmujorin e kaluar.

Financimi nëpërmjet kredisë bankare ka vijuar të figurojë në një pjesë të mirë të shitjeve të pronave. Sipas agjentëve, ashtu si periudhën e kaluar, rreth 40% e pronave për banim dhe e atyre për përdorim tregtar të shitura prej tyre janë blerë me hua bankare. Nga këto, në 85% të rasteve, kredia ka mbuluar deri në 60% të vlerës. Gjatë gjashtëmujorit të parë të viti 2023, rreth 14% të banesave të shitura janë raportuar të blera nga shtetas jorezidentë. Nga këta, rreth 2/3 rezultojnë shtetas të vendeve të BE-së. Gjatë periudhave të fundit vërehet një rënie e peshës së blerësve jorezidentë, të cilët gjatë vitit 2020 zunë rreth 1/3 e shitjeve të realizuara nga agjentët.

Pritjet për të ardhmen paraqiten pozitive pavarësisht pasigurive te ndryshme. Agjentët kanë pritje pozitive për ecurinë e tregut në territorin ku ata veprojnë për të ardhmen afatshkurtër dhe për periudhën më afatgjatë (deri në dy vjet)./Monitor

Artikulli paraprakPROCESI I BERLINIT, MBAHET SOT NË TIRANË TAKIMI I MINISTRAVE TË PUNËVE TË JASHTME
Artikulli tjetërBANKA BOTËRORE NGRE PARASHIKIMIN PËR RRITJEN EKONOMIKE TË SHQIPËRISË NË VITIN 2023, PROJEKTON 3.6%