Historia e Morel Malltezit dhe profesionit dhe pasionit të tij për të bërë bukë të mira në San Benedetto del Tronto, Itali, tregon , se shumë shqiptarë brenda dhe jashtë, jetojnë mirë, të qetë dhe të lumtur me profesionin që kanë zgjedhur dhe i dedikohen me ndershmëri.

Moreli jeton në këtë qytet të bukur italian me familjen, bashkeshorten dhe djalin, ku bashkë me bukët e shumëllojshme dhe erëmirë që prodhon përgjatë gjithë natës deri në në mëngjes, përcon maturi e një paqe komunikimi, veti të harruara në bisedat e nxehta e të zjarrta të Tiranës për cilëndo temë të hapur në tavolinë.

A janë kështu të gjithë njerëzit e punës? A i bën ata përkushtimi e pasioni për punën, të ndryshëm nga të tjerët? Kjo është një pyetje që mund ta përtypim e të reflektojmë të gjithë, duke vëzhguar dhe vlerësuar të afërmit, të njohurit, kolegët e familjarët që përreth nesh jetojnë me një profesion të vështirë.

Një nga pyetjet që i bëjmë ndërsa shijojmë bukën e berë prej tij ne oret e vona te nates është se: Pse në Shqipëri buka është ndryshe dhe përpiqemi t’i nxjerrim ndonjë sekret e të “përkëdhelim” idenë tonë fikse se “në Shqipëri na bëjnë cdo gjë me hile. Dhe sidomos bukën”.

Por Moreli nuk na jep të drejtë: “Nuk e besoj së në Tiranë mund të ketë bukëpjekës që e bëjnë bukën me hile, sic edhe kam dëgjuar”, thotë. “Për të bërë një bukë të mirë duhen disa faktorë si për shembull cilësia e miellit, lagështira e tij, vendi ku mielli vjen, furra, koha e duhur dhe përdorimi i majasë-nënë”, janë këto kushte që nëse nuk respektohen per arsye nga më të ndryshmet, me gjithë deshirën e furrxhinjve, e bëjnë të pamundur për një bukëpjekës të nxjerrë në prodhim një bukë të cilësisë më të mirë.

Në kushte të pafavorshme, bëhet një bukë jo e mirë, jo një bukë me hile”, më sqaron ai. “Në Itali tashmë është traditë prej kohësh bërja jo vetëm e qindra llojeve të bukës, sipas krahinave, por edhe e kujdesit të vecantë të bizneseve për cilësinë”.

Në qytetin e bukur të San Benedetto del Trontos, në rivierën e detit Adriatik në Itali, prej 18 vjetësh, Morel Malltezi bën jo vetëm bukën, por edhe pica, ëmbëlsira si të ishte një mjeshtër italian për breza e breza qe mban gjalle kete profesion te veshtire te oreve te nates.

Furra ku ai punon “Paneificio Giuliani” ndodhet në të njëjtën rrugicë, mes shtëpive të lashta të qendrës historike të qytetit, që nga viti 1963, ndërsa Morel, sic e thërrasin miqtë italianë, u bë shpirti dhe shija e kësaj furre që në vitin 2000.

Profesioni i bukëbërësit dhe bukëpjekësit është i vështirë, por ja që në këtë vështirësi Moreli gjen bukurinë, pasionin mjeshtërinë.

Të hash bukën e ngrohtë, që nga furra dhe duart e tij del në qindra forma nga më të shijshmet e të papriturat, është bëre modë në këtë qytet plot me turistë: dhjetëra hotele e bare presin cdo ditë furnizimin që gjatë natës “un albanese” e përgatit me dashuri.

Balerinë të shkëlqyer, mjekë, picajolë, “mozzarella bërës”, prodhues të mureve prej guri, bukëpjekës, shqiptarët e mirë në Itali janë shumë dhe janë pikërisht këta, si Morel Malltezi, që na japin shpresë e forcë për të shpërndarë lajmin e mirë, që në këtë rast, pa ekzagjeruar, është tamam si ai brumi i mirë që duhet ruajtur e shpërndarë sa më shumë edhe këtu brenda në Shqipëri.

Artikulli paraprakAKSIDENT FATAL MAKINA MERR PËRPARA KËMBËSORËT, HUMBIN JETËN BURRË E GRUA
Artikulli tjetërARRESTOHEN PËR VJEDHJE NËNË E BIJË SHQIPTARE