Në vendin në ekstremin verior të Europës, ka shumë nga ata të cilët kanë përfituar nga mbyllja për shkak të pandemisë për të shtuar familjen. Sipas të dhënave të fundit, viti 2021 është viti rekord për lindjet duke lënë pas rekordin e 2017-ës, i cili u arrit dhe si pasojë e fitores historike të kombëtares islandeze të futbollit ndaj Anglisë në Europianin Francë 2016.

Sipas ekspertëve rritja e numrit të lindjeve në Islandë ka të bëjë me mbylljen e vendit si pasojë e Covid-19 por jo vetëm. Ka shumë të bëjë dhe miratimi i ligjit për lejen e lindjes e cila është bërë 12 nga 9 muaj. Nuk është hera e parë që Islanda reagon ndaj periudhave jo të mira me rritjen e numrit të lindjeve. Pas krizës financiare të vitit 2010 dhe humbjes së mijëra vendeve të punës, vendi shënoi një rekord për sa i përket lindjeve.

Dhe këtë herë sipas nënave të reja, po ndodh e njëjta gjë. Shumë çifte të reja kanë anuluar dasmat për shkak të rregullave kundër pandemisë dhe kanë vendosur të krijojnë familje dhe të mos presin më. Ka nga ata që i quajnë fëmijë të mbylljes së vendit, apo rimëkëmbjes ekonomike.

Me shpresën që virusi të jetë vetëm një kujtim i largët, Islanda feston lindjen e 5 mijë fëmijëve në vitin 2021.

Artikulli paraprakZBULOHET PROJEKTI I QYTETIT TË PARË LUNDRUES NË BOTË
Artikulli tjetërIU VIHET ZJARRI KONTEJNERËVE ME MBETJE, TYM E FLAKË, ERA E KEQE MBULON ZONËN